Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes (VV), Arbërie Nagavci, ka kërkuar nga Vjosa Osmani, ushtruesja e detyrës së presidentes, që të shfuqizojë vendimin për emërimin e Flakron Shalës, si konsull në Pragë të Çekisë.
Ajo me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se kjo do të mbronte integritetin e shërbimit diplomatik të Kosovës.
“Shërbimi i jashtëm diplomatik është pasqyrim i shtetit dhe interesave shtetërore. Degradimi politik e partiak i shërbimit të jashtëm, deformon dhe dëmton rëndë interesat shtetërore në sferën ndërkombëtare”.
“Kosova ka nevojë për ambasadorë/e dhe konsuj profesional, më integritet dhe që përzgjidhen e emërohen në rrugë ligjore dhe në interes të shtetit, e jo emërime mbi baza të interesave partiake, familjare e si shpërblim për shërbime të brendshme private të tyre”.
“Rruga ligjore se si mund të bëhet dikush diplomat është e qartë. Ky nuk është rasti me vendimin e ish Presidentit Thaçi për emërimin e konsullit në Pragë. Emërim i Flakron Shalës konsull i Republikës së Kosovës pa kandiduar asnjëherë dhe pa asnjë ditë pune në MPJD, ka shpërfillur tërësisht kërkesat dhe kriteret ligjore”, ka shkruar Nagavci