Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje Arlind Manxhuka ka reaguar ndaj shkrimi të Gazetës Insajderi që ka publikuar një komunikatë të VV’së të vitit 2013 ku ndër të tjera thuhet “se shteti i Izraelit është ngritur mbi krimin e mbështetur nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar”. VV e ka quajtur lajm të rrejshëm këtë, por e vërteta është ndryshe.
VV në vitin 2013 akuzon ashpër Presidentin Obama dhe Izraelin ndërkohë që shprehin keqardhjen që Kosova dhe Palestina nuk e njohin njëra -tjetrën, pavarësisht se palestinezët Kosovën edhe atëherë edhe tani e konsiderojnë pjesë të Serbisë.
“Shteti Izraelit është ngritur mbi këtë krim me mbështetjen e drejtpërdrejtë ushtarake dhe ekonomike të SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe të plot shteteve të tjera Perëndimore. Sado të tmerrshme që janë, sulmet terroriste të organizuara nga fraksione të ndryshme të rezistencës së armatosur palestineze, ato nuk mund të krahasohen me fushatat ushtarake të shfarosjes dhe shpërnguljes të palestinezëve të organizuara nga ushtria dhe policia e Izraelit. Për ta kuptuar këtë mjafton të ndjeksh lajmet dhe të numërosh kufomat e pafundme që ky pushtim prodhon çdo javë” shkruante VV në vitin 2013.
Më poshtë po e sjellim të plotë tekstin kritikues të VV’së ndaj Izraelit, SHBA’së
(Shkrim i shkeputur nga analiza me e gjere mbi Palestinen ne fq. 8-9, te gazetes “PERBALLJA”, Nr. 2, botuar me 30 mars 2013)
“E drejta e popullit Palestinez për vetëvendosje dhe drejtësi gjithashtu duhet njohur. Vendoseni veten në pozitën e tyre – shikojeni botën përmes syve tët yre. Nuk është e drejtë që një fëmijë Palestinez s’mund të rritet në një shtet të vetin, dhe jeton në praninë e një ushtrie të huaj që kontrollon lëvizjen e prindërve të saj për çdo ditë. Nuk ka drejtësi kur mbetet pa u ndëshkuar dhuna që kolonët e armatosur hebrej ushtrojnë mbi palestinezët. Nuk është e drejtë qët ’ju ndalohet palestinezëve të merren me bujqësi në tokat e tyre; të kufizosh mundësinë e një studenti për të lëvizur në Bregun Perëndimor; apo të shpërngulësh familjet palestineze nga shtëpitë e tyre. As pushtimi e as shpërnguljet nuk janë përgjigjet e duhura. Ashtu si izraelitët ndërtuan një shtet në atdheun e tyre, palestinezët kanë të drejtën për të qenë një popull i lirë në tokën e tyre”
Ky citim është shkëputur nga fjalimi që mbajti javën e kaluar presidenti i SHBA-ve, Obama, në Jeruzalem. Kjo ishte vizita e tij e parë si President në këte vend. Në të njëjtin fjalim Obama u kujtoi edhe një herë të gjithëve se SHBA-ja ka qenë dhe vazhdon të jetë aleati dhe mbështetësi më i fortë, si dhe miku më i rëndësishëm i Izraelit që prej deklaratës së pavarësisë së Izraelit, që SHBA-ja ia njohu e para, 11 minuta pas shpalljes. Obama më tej shton se marrëdhëniet e sigurisë mes Izraelit dhe SHBA-ve janë më të forta se kurrë, qoftë në bashkëpunimin ushtarak qoftë në atë të inteligjencës. Në fjalim ai shprehet se Izraeli ka të drejtë të mbrohet nga sulmet terroriste dhe sulmet me raketa që Hamasi lëshon nga Rripi i Gazës. Ai i quan shanse të humbura historike negociatat e mëparshme mes Izraelit dhe Palestinës, duke ia veshur përgjegjësinë liderëve palestinezë. Për më shumë, Obama bën thirrje për paqe, nëpërmjet negociatave midis dy palëve që duhet të sjellin demarkimin e “kufinjve realë”. Fjalët e Obamës mund të krijojnë te lexuesi atë që në psikologji quhet disonancë konjitive – mbajtja e dy qëndrimeve me vlera të kundërta nga njëri-tjetri. Në një moment, duke demaskuar publikisht krimet e Izraelit ai duket se po bën një deklarim historik për çështjen e Palestinës, e në momentin tjetër ai e shtrembëron historinë duke na hutuar mbi të tashmen dhe duke bërë shumëkënd skeptikë mbi qëndrimet dhe veprimet e SHBA-së në të ardhmen. Si duket, edhe një herë, e vetmja rrugë që mbetet për Palestinën është rruga që kalon përmes vetëvendosjes.
Është e padrejtë dhe e palogjikshme që një krim i rëndë kundër njerëzimit, si shfarosja e miliona hebrenjve nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, të përdoret për justifikimin e një tjetër krimi kundër njerëzimit, siç është pushtimi, spastrimi etnik dhe kolonizimi i palestinezëve nga izraelitët. Shteti Izraelit është ngritur mbi këtë krim me mbështetjen e drejtpërdrejtë ushtarake dhe ekonomike të SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhetë plot shteteve të tjera Perëndimore. Sado të tmerrshme që janë, sulmet terroriste të organizuara nga fraksione të ndryshme të rezistencës së armatosur palestineze, ato nuk mund të krahasohen me fushatat ushtarake të shfarosjes dhe shpërnguljes të palestinezëve të organizuara nga ushtria dhe policia e Izraelit. Për ta kuptuar këtë mjafton të ndjeksh lajmet dhe të numërosh kufomat e pafundme që ky pushtim prodhon çdo javë. Duhet sqaruar se në njërën anë ndodhet pushtuesi që ka në dispozicion një prej forcave ushtarake më të fuqishme në botë, e në anën tjetër ndodhet populli i pushtuar i Palestinës i cili është përpjekur t’i rezistojë këtij pushtimi me të gjitha metodat e mundshme, në demonstrata, bojkote dhe rezistencë të armatosur.
Vit pas viti komuniteti ndërkombëtar ka dështuar të sjellë drejtësi për popullin e Palestinës. Me qindra janë rezolutat e OKB-së që janë përpjekur ta trajtojnë këtë çështje, dhe të gjitha sot kanë dështuar. Me dhjetra janë përpjekjet për negociata midis dy palëve që nuk kanë prodhuar as paqe e as drejtësi, sepse ato kanë qenë negociata pa kushte për pushtuesin, i cili ndryshe ka diskutuar e ndryshe ka vepruar ne terren. Në vitit 1993, nënegociatat që u zhvilluan në Oslo midis Presidentit palestinez Jaser Arafat dhe Kryeministrit izraelit Jitzhak Rabin, u vendos që Bregu Perëndimor dhe Rripi i Gazës të trajtoheshin si një entiteti i unifikuar territorial. Por, gjatë kohës që zhvilloheshin këto negociata Izraeli nisi programin e tij për ta ndarë de facto Rripin e Gazës nga Bregu Perëndimor, duke e pamundësuar kështu arritjen e një marrëveshjeve – ama këtë Obama harron ta përmendë kur flet për përgjegjësinë që kanë liderët palestinez për “shanse historike të humbura” në negociata. Qartazi OKB-ja ka dështuar në vendosjen e drejtësisë dhe paqes në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe duket se Palestina e plot shtete të tjera duhet t’i bëjnë ballë padrejtësisë me forcat e tyre në një sistem ndërkombëtar ku i njëjti ligj vlen vetëm për komb-shtetin më të dobët.
Është për të ardhur keq që qeveritë e vendeve si Palestina dhe Kosova nuk e njohin njëra-tjetrën, të dyja nga frika se po ta ndërmarrin një hap të tillë do të ndëshkohen nga “padronët” e tyre. Të dyja palët kërkojnë njohje ndërkombëtare bazuar mbi parimin e vetëvendosjes, ndërkohë që të dyja palët identikohen me etiketën sui generis që të tjerët ia kanë vendosur, duke shfaqur kështu shenja të një skizofrenie të theksuar. Në vend që popujt e shtypur të bashkohen në solidaritet me njëri-tjetrin, ata jo vetëm që ndahen por edhe tëhuajësohen nga vetvetja. Fundjafundit nuk ka si të ishte ndryshe për dy shtete që nuk kontrollojnë as kufijtë e as ekonominë e tyre, dhe nuk kanë një ushtri për ta mbrojtur veten nga pushtuesi. Ndërkohë, Izraeli dhe Serbia nuk e kanë patur shumë të vështirë të gjejnë gjuhën e përbashkët për ta vonuar ose ndaluar njohjen e Kosovës dhe Palestinës prej shumë shteteve të tjera.
Sidoqoftë, do të ishte vështirë që t’i jepen popullit palestinez receta që do të çonin drejt çlirimit të Palestinës, sepse në fakt është ky popull që i ka dhënë një mësim gjithë botës mbi atë çka do të thotë të mos dorëzohesh në përpjekjen për liri. Populli palestinez meriton respekt dhe solidaritet të plotë në rrugën e tij drejt vetëvendosjes./Express/