Vetëvendosje përmes nënkryetares së Kuvendit, Arbërie Nagavci i ka dërguar kërkesë Kryesisë së Kuvendit që të ftohet Armend Zemaj për raportim para deputetëve për situatën me COVID-19 në Kosovë.
Ky është njoftimi i VV-së:
Gjendja pandemike në vend është përkeqësuar në mënyrë drastike. Pavarësisht përpjekjes vetëmohuese dhe përkushtimit të punonjësve shëndetësorë, numri i madh i të infektuarve, spitalet e mbingarkuara dhe paaftësia e kësaj Qeverie po e bëjnë përballjen me COVID-19 trefishë më të rëndë për qytetarët e Kosovës.
Gjatë javës së fundit janë regjistuar rreth 2500 raste të reja, kurse betejën me këtë virus e kanë humbur mbi 30 qytetarë. Këto shifra janë alarmante. Kjo është indikative se Kosova po shkon drejtë thellimit të krizës. Ndonëse Ministri kishte premtuar spital të veçantë për COVID-19, realizimi i tij nuk duket gjëkundi, e Klinika Pulmologjike dhe spitalet rajonale nuk kanë kapacitet për trajtim të një vale të re të të prekurve. Qytetarët e Republikës ndodhën pa mbështetje dhe pa përkujdesje.
Shpërfillëse ndaj gjendjes së qytetarëve, kjo Qeveri është zënë e befasuar në paaftësinë e saj. Me riciklim masash pa efekt e jo të duhura, të vonshme e të pazbatuara, Ministria e Shëndetësisë është shndërruar në një departament të dobët të mbledhjes së statistikave. Shifrat tregojnë se masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës janë të mangëta, pa analizë dhe pa vlerësim për efektet e tyre në terren.
Është e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës të diskutojë për gjendjen pandemike në vend, dhe se ministri Zemaj të raportojë para deputetëve për situatën, masat që janë ndërmarrë dhe ato që duhet të ndërmerren për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe shëndetin publik në përgjithësi.