Zëvendëskryeministri i Serbisë, Alleksandar Vullin, ka thënë se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën, përderisa president i Serbisë të jetë Alleksandar Vuçiq dhe në qeveri do të jetë ai, kurrë nuk do të ndodhë njohja e pavarësisë së Kosovës.
Këto komente, Vullini i bëri derisa po tregonte se çfarë i ka thënë shefi i CIA-s, William Burns, i cili vizitoi rajonin kohë më parë, raporton media serbe “Nova”.
Ai thotë se Burns i ka thënë që “e di që nuk është je agjent rus dhe kriminel”, por se gjendet nën sanksione të ShBA-së për shkak se bie në kundërshtim me politikën e Qeverisë së ShBA-së.
“E dini se çfarë më tha? Ai foli me mua dhe më tha se ata e dinë që unë nuk jam agjent rus dhe kriminel, por që jam strategjikisht kundër qëndrimeve të qeverisë së tij. E saktë, absolutisht e saktë. Sepse qëndrimet strategjike të qeverisë së tij janë të njohim Kosovën, të largohemi nga Republika Sërpska dhe të vendosim sanksione kundër Federatës Ruse. Kjo nuk do të ndodhë përderisa Alleksandar Vuçiq të udhëheqë Serbinë dhe unë të jem në Qeverinë e Serbisë dhe pikë”, theksoi Vullini.
Zëvendëskryeministri i Serbisë, Alleksandar Vullin, është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga korriku i vitit 2023. /Klankosova.tv