Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha sot se ishte ndër 10 deri në 15 liderët e parë botërorë me të cilët presidenti i ri amerikan Donald Trump foli pas fitores në zgjedhje.
Ai tha se ky është një nder dhe sukses i madh për Serbinë dhe se do të thotë shumë për përmirësimin e marrëdhënieve serbo-amerikane, raporton Tanjug, transmeton Klankosova.tv.
“Është një nder i madh për vendin tonë të vogël, një sukses i madh për vendin tonë. Nuk e bëra sepse është një sukses i madh për mua personalisht, është një sukses i madh për vendin tonë. Shpresoj se do ta bëjë Serbinë më të mirë. Ne po punojmë për Serbinë, për të përmirësuar marrëdhëniet tona me SHBA-të, për të avancuar në këto marrëdhënie, për të mbrojtur dhe përmirësuar ekonominë”, tha Vuçiq në Baku të Azerbajxhanit, ku sot dhe nesër po merr pjesë në Samitin e Ndryshimeve Klimatike – COP29 organizuar nga Kombet e Bashkuara.