Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se Serbia nuk mund të pranjojë që Kosova të mos i përmbush detyrimet nga marrëveshjet e mëparshme, veçanërisht atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Vuçiq tha se Prishtina u angazhua për krijimin e Asociacionit “pa kushte për ndonjë njohje”.
“Historia e njohjes së ndërsjellë është mjaft e pakuptimtë për Serbinë, por ata në Prishtinë duan ta përsërisin si papagall. Prishtina nuk mund të shpikë marrëveshje të reja që nuk ekzistojnë. Kjo tregon se ata në thelb nuk duan kompromis” tha Vuçiq.
Këto komente, presidenti serb i bëri pas një mbledhjeje të qeverisë së Serbisë, ku, ndër të tjerash, u fol edhe për Kosovën.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, vazhdimisht ka thënë se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk do të vendoset sërish në tavolinën e bisedimeve, ndërsa ka theksuar se qëllimi final i dialogut është marrëveshja përfundimtare që do të përfshinte njohjen reciproke.