Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, përgjatë një fjalimi drejtuar popullit serb, ka folur lidhur me rëndësinë e dialogut mes Kosovë-Serbi.
“Është e rëndësishme t’iu them se konflikti Nagorno-Karabak tregon se konfliktet e ngrira mund të përshkallëzohen në çdo moment. Situata me Kosovën nuk do të jetë e lehtë në muajt e ardhshëm. Nuk duhet t’ua lëmë fëmijëve tanë konfliktin e ngrirë”, deklaroi i pari i Serbisë, raporton Kosovo Online, transmeton Gazeta Express.
Tutje, ai ka paralajmëruar se në rast të mos-arritjes së një marrëveshje, një konflikt i ngjashëm mund të ndodhte mes dy vendeve, andaj ai “do bëjë gjithçka për të vazhduar negociatat” në mënyrë që të evitohet një skenar i tillë.
“Mesazhi më i rëndësishëm për ne është mesazhi i paqes dhe dialogut. Ne duhet të kujdesemi për të ardhmën e fëmijëve tanë”, deklaroi tutje Vuçiq.
Lidhur me procesin e dialogut ka folur për Periskopin edhe i pari i LDK’së, partisë qeverisëse, Isa Mustafa, I cili ka thënë se momentalisht nuk bëhet fjalë për ndërprerje të dialogut.
“Kërkesa për ndërprerje të dialogut nuk mund të arsyetohet. As z.Thaçi dhe as z.Veseli nuk kanë kërkuar ndërprerje të dialogut, sa kanë qenë në Kosovë, e as nga Haga; nuk i kanë përzier Dhomat e Veçanta me dialogun. As PDK-ja. E kam theksuar se dialogu nuk zhvillohet per Serbinë por zhvillohet për interesa të Kosovës, për njohje reciproke”, ka thënë Mustafa.