Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, të martën nga Tivati i Malit të Zi, u shfaq i acaruar gjatë një konference për media.
Replikat kryesisht ai i pati me gazetarët vendorë të cilët e pyetën presidentin serb për raportet e shtetit të tij me Kosovën.
“Nuk ekziston asnjë Republikë e Kosovës. Nuk ekziston sipas të drejtës publike ndërkombëtare e as sipas statutit të OKB-ës, e as me rezolutën 1244. Nuk më pengon që ju me qëllim e kënaqësi thoni republika e Kosovës. Paramendoni unë të ju flas juve për republikën e Gucisë, apo të Plavës”, tha Vuçiqi.
Këto komente ai i bëri pas takimit të liderëve të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe Sllovenisë e Kroacisë, që janë nismëtare të takimeve të këtij formati të njohur si “Brdo Brijuni”.
Vuçiq, që nuk u pa askund gjatë pritjeve zyrtare dhe tryezës së rrumbullakët, thotë se ishte në samit, veçse disi i fshehur.
“Me vjen keq, por diçka u vonova. Kisha mundësinë të flas me të gjithë mysafirët me përjashtim të zonjës Osmani (Vjosa Osmani, presidente e Kosovës – shën.red.)”,theksoi Vuçiq.
Ndryshe kryetari i Serbisë e akuzoi republikën malazeze, për siç tha ndarjen nga shteti i përbashkët më 2006, si dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008.