Aktivistja, blogerja, prezantuesja dhe ish-mësuesja, Dame Deborah James, ka vdekur në moshën 40-vjeçare.
Ajo kishte marrë kujdesin e fundit të jetës për kancerin e zorrëve në shtëpi dhe kishte mbledhur miliona euro për kërkimet mbi sëmundjen e kancerit.
Prezantuesja e ‘podcas’t-it të BBC-së “You, Me and Big C” u nderua në maj në shenjë mirënjohjeje për mbledhjen e fondeve të saj.
Deborah, nënë e dy fëmijëve, u diagnostikua me kancer në zorrë në vitin 2016. Familja e saj e përshkroi atë si “të mahnitshme” dhe një “frymëzim”.
Ata kanë njoftuar vdekjen e saj përmes një postimi në faqen e saj në Instagram. “Jemi thellësisht të pikëlluar të njoftojmë vdekjen e Dame Deborah James; gruaja, vajza, motra, nëna më e mahnitshme”, thuhet në njoftim.
Familja e saj tha se Dame Deborah ndau përvojën e saj për kancerin për të “rritur ndërgjegjësimin, për të thyer barrierat, për të sfiduar tabutë dhe për të ndryshuar bisedën rreth kancerit. “Edhe në momentet e saj më sfiduese, vendosmëria e saj për të mbledhur para dhe ndërgjegjësim ishte frymëzuese”.
Ajo ndërroi jetë e qetë e rrethuar nga familja e saj./KOSOVARJA