Ditën e nesërme, në orën 09:30 do të zhvillohet seanca gjyqësore për vlefshmërinë dhe caktimin e masës së sigurimit për të miturin M.P., i akuzuar për vrasjen me thikë të 14-vjeçarit Martin Cani.
Ngjarja ndodhi pak ditë më parë pranë shkollës ‘Fan Noli’ në Tiranë, pas një konflikti ku ishin përfshirë autori dhe viktima.
Ndërkohë ditën e sotme lidhur me këtë ngjarje u zhvillua edhe një protestë në kryeqytet, nga prindër të nxënësve, shoqëruar me fëmijët e tyre.
Ajo që ka mbetur pas nga protesta, janë shenjat dhe gjurmët e duarve me ngjyrën e kuqe simbol të gjakut në muret e ministrisë së Arsimit.
Mesazhi kryesor i prindërve dhe pjesëmarrësve në protestë ishte kërkesa për dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastriliu, të cilën e konsiderojnë përgjegjëse për ngjarjen e rëndë dhe situatën e arsimit.
Prindërit i kanë lënë një afat deri në fundjavë ministres për të dhënë dorëheqjen në të kundërt javën e ardhshme kanë paralajmëruar tjetër protestë.
Kjo ka qenë protesta e parë e këtij lloji që pas ngjarjes së rëndë që tronditi shoqërinë shqiptare, duke kërkuar jo më cilësi për arsimin, por siguri për fëmijët. Ishte një protestë paqësore me mesazhe nga prindër e nxënës. Të gjithë prindërit që protestuan për dy parë përsëritën thirrjen për siguri në shkolla.
Një nga momentet më prekës në këtë protestë ishte mesazhi i nënës së Martinit të ndjerë, që përmes pikëllimit falënderonte shqiptarët për mbështetjen. /A2cnn