Të mërkurën një i ri është therur disa herë me thikë në oborrin e shtëpisë së tij në Saradran të Istogut.
Nga Spitali i Pejës informatat janë se viktima ka pasur tetë plagë, si në kokë, ekstremitete dhe pjesë tjera të trupit si dhe ndodhej në gjendje të rënduar shëndetësore.
Pas intervenimit mjekësor, spitali ka konfirmuar se gjendja shëndetësore e tij është e mirë.
Lidhur me këtë rast, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, tha se është autorizuar policia që të bëhet identifikimi i personit apo personave që kanë kryer këtë vepër penale.
“Fillimisht nuk ka qenë askush i arrestuar për këtë rast, mirëpo një person ka qenë i shoqëruar në polici, ndërsa dy të tjerë i janë përgjigjur ftesave dhe janë paraqitur, pas marrjes së deklaratave nga hetuesit policor janë lënë të lirë për shkak se është bërë verifikimi i vendndodhjes së tyre në kohën kur ka ndodhur sulmi ndaj viktimës. Janë autorizuar Policia e Kosovës që përmës veprimeve hetimore të identifikojnë personin apo personat e dyshuar që kanë kryer këtë vepër penale ndaj viktimës. Pasi të identifikohet kryesi apo kryesit e kësaj vepre, të njëjtit do arrestohen. Intensivisht është duke u punuar në këtë drejtim”, tha Nikçi për Express.