Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, mbrojtësi i të akuzuarit për vrasje Orges Zhugolli, avokati Naim Rudari, ka kërkuar ekspertizë psikiatrike për të mbrojturin e tij.
Në këtë seancë, avokati Rudari ia ka paraqitur Gjykatës disa propozime, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kurse, propozimin që të bëhet ekspertizë psikiatrike për të akuzuarin, ai e bëri me arsyetimin për të vlerësuar gjendjen e tij emocionale e mendore në momentin e kryerjes së veprës penale.
“Kërkojmë që të nxirret ekspertizë psikiatrike ndaj Orges Zhugollit për të vlerësuar se i njëjti çfarë gjendje emocionale e mendore, psiqike ishte në momentin kur ndodhi kjo ngjarje dhe se në çfarë niveli ishte tronditja e tij mendore”, tha mes tjerash Rudari.
Lidhur me këtë propozim, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Ertan Sejfulla, ka marrë aktvendim përmes së cilit kanë aprovuar propozimin e avokatit dhe kanë bërë me dije se urdhri për ekzaminim psikiatrik të të akuzuarit do të lëshohet gjatë ditës.
Përveç propozimit të paraqitur të premten në gjykatë, Rudari i ka dorëzuar gjykatës një ditë më parë edhe një parashtresë të quajtur ‘Propozim për nxjerrjen e provave’, përmes së cilës gjykatës i janë paraqitur tri propozime nga i njëjti.
Këto kishin të bënin me dëgjimin e një dëshmitari, i cili ka qenë prezent në vendin e ngjarjes, rikonstruimin e vendit të ngjarjes si dhe propozimin e nxerrjes si provë- Raportin e Punës Operative të QKUK-së lidhur me tani të ndjerin A.Zh.
Këto propozime të mbrojtjes janë kundërshtuar nga prokurori Arben Hoti dhe mbrojtësi i viktimave, Visar Ahmetxhekaj.
Trupit gjykues lidhur me këto propozime ka nxjerrë aktvendim përmes të cilit ka aprovuar propozimin e avokatit Rudari për dëgjimin e dëshmitarit, ndërsa ka refuzuar propozimin për rikonstruimin e vendit të ngjarjes, pasi që sipas tyre në shkresat e lëndës janë video-incizimet nga vend i ngjarjes.
Gjykata po ashtu ka refuzuar nxjerrjen e Raportit të Punës Operative të QKUK-së, pasi që sipas trupit gjykues ekspertja mjeko-ligjore ka sqaruar mjaftueshëm në ekspertizën e saj në lidhje me këto rrethana.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, më 12 shtator 2023 afër marketit “Melis”, që gjendet në fshatin Gllamnik të Podujevës, i pandehuri Orges Zhugolli kishte privuar nga jeta tani të ndjerin A.Zh., për shkak të një konflikti që kanë pasur në komunikacion.