Irani zotohet të hakmerret për vrasjen e shkencëtarit të tij më të lartë bërthamor, Mohsen Fakhrizadeh, i cili u ekzekutua pranë Teheranit të premten. Ngjarja ka rritur tensionet në Lindjen e Mesme pasi Teherani e konsideron këtë një sulm të rëndë.
Sipas BBC, agjencitë perëndimore të inteligjencës besojnë se Fakhrizadeh ishte pas një programi të fshehtë të ndërtimit të armëve bërthamore edhe pse Irani këmbëngul se programi i tij nuklear është për qëllime paqësore.
Ministri i Jashtëm i vendit i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të dënojë atë që e quajti “akt terrorist shtetëror”. Mediat iraniane thanë se autorët hapën zjarr ndaj shkencëtarit që ndodhej në makinën e tij, por edhe se 3-4 persona mes sulmuesve u ekzekutuan.
Ambasadori i Iranit në Kombet e Bashkuara tha se vrasja ishte një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar me qëllim shkaktimin e trazirave në rajon. Ai fajësoi Izraelin për sulmin duke thënë se ai kishte “të dhëna serioze të rolit të Izraelit”.
Emri i Fakhrizadeh u përmend specifikisht në prezantimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu rreth programit bërthamor të Iranit në prill 2018. Deri tani nuk ka pasur asnjë koment nga Izraeli për vrasjen.
Lajmi vjen pas shqetësimeve të reja për sasinë e rritur të uraniumit të pasuruar që Irani po prodhon. Marrëveshja e vitit 2015 me 6 fuqi botërore vendosi kufij në prodhimin e uraniumit, por që kur Presidenti Donald Trump braktisi marrëveshjen në 2018, Irani ka hequr dorë nga marrëveshjet e tij.
Joe Biden është zotuar t’i rikthehet marrëveshjes me gjithë kundërshtimin e fortë nga Izraeli.