×
  • Kronika
  • Kronika

    Vrasja e dyfishtë në Malishevë që nuk u ndëshkua

    FrontOnline
    13 Gusht 2022

    Më 9 mars 2018, rreth orës 01:00, në fshatin Plloqicë të Malishevës, vëllezërit e ndjerë Shani dhe Bahri Maloku janë privuar nga jeta. Kjo vrasje e dyfishtë rrezikon të hyjë në listën e vrasjeve në Kosovë autorët e të cilëve nuk janë ndëshkuar.

    Për këtë vrasje të dyfishtë, Prokuroria Themelore në Gjakovë, në nëntor të 2018-ës kishte ngritur aktakuzë ndaj dy kushërinjve të vëllezërve të ndjerë, përkatësisht ndaj Blerim dhe Besim Maloku, këtë të fundit duke e ngarkuar me vrasjen e dyfishtë.

    Prokuroria pretendonte se Besim Maloku së bashku me vëllain e tij, Blerim Maloku, natën kritike kishin hyrë në shtëpinë e viktimave për të vjedhur, ku Besim Maloku kishte pasur me vete pushkë automatike “AK-47”, të kalibrit 7.62 x 39mm.

    Mirëpo, Gjykata Themelore në Gjakovë, pas një procesi gjyqësor e kishte liruar nga vrasja e rëndë Besim Malokun. Ai dhe vëllai i tij ishin dënuar vetëm për armëmbajtje pa leje. Këtë aktgjykim të shkallës së parë e kanë vërtetuar edhe Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme e Kosovës.

    “Betimi për Drejtësi”, ka dërguar pyetje në adresë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, për të mësuar se a ka të dyshuar të tjerë në lidhje me këtë vrasje të dyfishtë, dhe se a janë ndërmarrë veprime të tjera hetimore për zbardhjen e këtij rasti.

    Prokuroria nuk ka kthyer fare përgjigje, kurse nga Policia kanë thënë se nuk kanë pranuar asnjë autorizim shtesë për ndërmarrjen e veprimeve të tjera, duke shtuar se kompetente për të dhënë informata janë Prokuroria dhe Gjykata në Gjakovë.

    Ndryshe, më poshtë mund të lexoni një përmbledhje të aktgjykimit 112 faqësh të Gjykatës Themelore në Gjakovë, me arsyetimin e gjykatës për lirimin nga akuza për vrasjen e dyfishtë të ish të akuzuarit Besim Maloku. Ky aktgjykim është vërtetuar edhe nga dy shkallët më të larta.

    Në aktgjykim thuhet se për shkak të mungesës së provave, gjykata e ka liruar nga akuza për vrasje të akuzuarin Besim Maloku.

    Në arsyetimin e aktgjykimit thuhet se asnjë nga dëshmitarët e dëgjuar në këtë rast nuk kishin mundur ta identifikonin kryerësin e vrasjes së dyfishtë në Malishevë.

    “Prokuroria u përpoq që përmes dëshmive të dëshmitarëve, siç ishin, dëshmia e Afërdita Malokut, Fatmire Malokut, Uliks Malokut, Shaban Malokut, Valbone Malokut, Shemsie Bytyqit, Bekim Zogajt, Albani Malokut, Hysni Malokut, Xhemajli Malokut, Afrim Mustaf Maloku, Afrim Arif Malokut, Fisnik Malokut, Ismet Malokut, Hysen Malokut, e sipas propozimeve të mbrojtësve gjykata dëgjoi ekspertin mjeko-ligjor, Arsim Gërxhaliu, ekspertin e balistikës, Ilir Kukaj dhe dëshmitarin Edmond Jakupaj që ta vërtetojnë praninë e të akuzuarit në natën kritike si kryers i veprës penale, mirëpo asnjëri nga dëshmitarët në dëshmitë e tyre të dhëna veç e veç nuk vërtetojnë se në natën kritike me rastin e vrasjes së tani të ndjerëve Shani dhe Bahri Malokut, të ketë qenë i akuzuari Besim Maloku, si dhe në të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve ceket se nuk kanë mundur ta identifikojnë kryerësin e veprës penale në natën kritike”, thuhet në arsyetim të aktgjykimit.

    Sipas arsyetimit të aktgjykimit, dëshmitari Uliks Maloku, vëllai i viktimave, në asnjë moment gjatë deklaratës së tij nuk ka shfaqur dyshime se në natën kritike të ketë qenë edhe i akuzuari për vrasje, Besim Maloku.

    “Uliks Maloku gjatë gjithë ngjarjes në natën kritike me rastin e vrasjes së vëllezërve të tij Shani dhe Bahri Malokut, i është dukur se personi i dyshuar më i shkurtër që ka gjuajtur me armë automatike ka qenë kushëriri i tij Blerim Maloku, kurse në të akuzuarin Besim Maloku në asnjë moment gjatë deklaratës së tij nuk ka shfaqur dyshime se natën kritike të ketë qenë edhe i akuzuari Besim Maloku, dhe ta ketë kryer veprën penale të vrasjes. As gjatë hetimeve të zhvilluara nga organet hetuese, e as nga prokuroria nuk është dyshuar se i akuzuari Besim Maloku ta ketë kryer veprën penale të vrasjes. Në Blerim Malokun kanë dyshuar se ka kryer veprën penale të plagosjes, vetëm në bazë të supozimeve, i cili në polici, hetuesi dhe prokurori dhe gjatë shqyrtimit gjyqësor gjithherë ka deklaruar “mu ka duk, kam dyshuar se është kushëriri jem Blerim Maloku”, nga dëshmia e dëshmitarit në asnjë moment nuk ka mundur ta argumentojë se kush e ka kryer vrasjen në natën kritike.”, thuhet në aktgjykim./bpd

    Nga Rubrika
    Kronika15 Janar 2025
    Një mijë e 962 tiketa trafiku janë shqiptuar brenda 24 orëve. Kështu ka bërë të ditur policia e Kosovës për raportit të...
    Kronika15 Janar 2025
    Policia e Kosovës të martën ka arrestuar një person në Podujevë për shkak se kishte ekspozuar në rrjete sociale një fotografi me...
    Kronika15 Janar 2025
    Një burrë është arrestuar në Mitrovicë pasi që i njëjti dyshohet se pas një mosmarrëveshje rreth një borxhi më 28 dhjetor të...
    Të tjera
    Vip15 Janar 2025
    Mbërritja e zarfit të zi nga ‘Vëllai i Madh’ në shtëpi është bërë temë diskutimi mes të gjithë banorëve. Edhe Sara e...
    Vip15 Janar 2025
    Leo ka bërë një deklaratë aspak të pritshme mbi ato që shprehet se i ka thënë Driloni. Ai u shpreh se ato...
    Vip15 Janar 2025
    Banorët të mbledhur në oborrin e shtëpisë tregonin gjëra nga më të ndryshmet për jetën jashtë izolimit. Driloni u shpreh se takimet...
    Vip15 Janar 2025
    Drenusha ka diskutuar me Drilonin për jetën e saj para ndarjes me ish-bashkëshortin. Ajo u shpreh se ka dy vjet që është...
    Vip15 Janar 2025
    Konkurrenti i Big Brother VIP Kosova 3, Vullneti, ka rrëfyer eksperiencën e tij prej gazetari në rastin e agresionit terrorist nga militantë...
    Bota/Rajoni15 Janar 2025
    Gjykata e Posaçme ka miratuar një urdhër kontrolli në kuadër të hetimit të nisur ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe familjarëve...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.