Shkruan Blerim Shala:
Sekush që përpiqet të përcjell me vëmendje zhvillimet politike në Kosovë duke i analizuar ato në një perspektivë disavjeçare (afatmesme), e ka pasur të qartë, me 14 shkurt të vitit 2021, kur u mbajtën zgjedhjet e fundit parlamentare në vend, që ka ndodhur një ri-rreshtim dramatik i skenës politike.
Pas një periudhe, e cila ka mundur të klasifikohet si kalimtare, si një tranzicion politik, në atë harkun kohor 2017-2021 (për katër vite u mbajtën tri palë zgjedhje, dhe u krijuan tri qeveri), u imponua si domosdoshmëri një ri-organizim i politikës vendore, e cila para qytetarëve/ votuesve të Kosovës, u shfaq në trajtë të dy kolonave politike (edhe pse formalisht nuk ka pasur një strukturim të tillë të liderëve dhe entiteteve politike të cilat morën pjesë në këto zgjedhje).
Kolona e parë i shihte bashkë liderët dhe subjektet politike të cilat njiheshin si parti tradicionale, që kishin qenë pjesë e shumë kombinimeve qeverisëse në vend, që nga viti 2002 (kur u bë Qeveria e parë e Kosovës, nën Administrimin ndërkombëtar, UNMIK-un), e deri në vitin 2021.
Kolona e dytë njihte subjektin e vetëm politik, Lëvizjen ‘Vetëvendosje’ dhe liderin e saj, Albin Kurtin, si partinë e vetme e cila ende nuk kishte arritur të udhëheq me vendin.
Në fakt, Kurti dhe ‘Vetëvendosje’ dolën fitues në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2019, duke marrë timonin e udhëheqjes me Qeverinë e Kosovës, në muajin shkurt të vitit 2020.
Por kjo Qeveri ishte jetëshkurtër, për shkak të rrethanave të njohura, (përplasjet në mes të LDK-së dhe ‘Vetëvendosjes’ si dy partner të koalicionit), të cilat përfshinë edhe pasojat a Pandemisë së Covid-19.
Kjo kolona e dytë njihte edhe një bashkim politik të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, prijëses së Listës ‘Guxo’, që rezultoi me një fitore të paparë në këto matjet zgjedhore të forcës, kur Lista e ‘Vetëvendosjes’ arriti të kalojë shifrën magjike prej 50% të votës së qytetarëve që morën pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit, 2021.
Në të vërtetë, nëse për pak çaste kthehemi prapa dhe i ecim sërish ato vitet e tranzicionit politik në vend (2017-2021), është vështirë që mos konkludohet që logjikisht (së paku), rezultati i këtyre zgjedhjeve, apo fitorja e ‘Vetëvendosjes’ është dashur të jetë edhe më bindëse, edhe më brutale.
Thjeshtë, në ato katër vitet e përmendura, kishte ndodhur shembja e partive tradicionale në vend, teksa degradimi i tyre kishte nisur edhe më parë.
Në këtë kontekst pra, zgjedhjet e vitit 2021 kanë qenë një epilog i pritshëm, i kuptueshëm, i justifikueshëm i zhvillimeve politike në vend.
Për këtë shkak, aq sa ‘Vetëvendosjes’ dhe Kryeministrit Kurti i është dashur një mandat i plotë qeverisës katërvjeçarë për të dëshmuar veten në rrethanat kur e ka një shumicë komode parlamentare në anën e vet, aq kohë kanë pasur nevojë edhe partitë opozitare parlamentare (PDK, LDK dhe AAK), për ta ri-gjetur veten dhe për të nisur mëkëmbjen politike.
Këto katër vjet pa zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare, i janë dashur në të vërtetë të gjithëve në Kosovë.
Siç e dimë të gjithë, në gjithë historinë e demokracisë parlamentare në Kosovë, e cila nisë me zgjedhjet lokale të vitit 2000 (pra, vitin e ardhshëm do të shënojmë një çerek shekulli të ekzistimit të demokracisë parlamentare në vend), asnjë qeveri qendrore nuk ka zgjatur katër vjet të plota, siç ishte rasti me Qeverinë e Kosovës të Kryeministrit Kurti të dalë nga zgjedhjet e shkurtit të vitit 2021.
Në anën tjetër, partitë opozitare në vend, në katër vitet e kaluara, patën mbetur pa alternativë. Oferta e tyre e deriatëhershme politike kishte mbetur pa afat përdorimi. Duhej bërë ndryshime të brendshme rrënjësore në të gjitha aspektet e mundshme, përfshirë këtu edhe ndryshimin e lidershipit.
Në këtë aspekt pra, duket që politikanët opozitarë në vend kanë synuar një reformim thelbësor për t’iu adaptuar (pashmangshmërisht) veten në një ambient fare të ri politik.
Natyrisht, është koha kur te dy palët, edhe para se të nisë ajo pjesa formale e fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit (2025), kanë filluar ballafaqimin publik për vlerësimin final të periudhës katërvjeçare që lidhën dy palë zgjedhje.
Do të shohim dhe do të dëgjojmë shumëçka.
Por vetëm me 9 shkurt do të kuptojmë se si është puna në këtë politikën kosovare.