Ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, ish-deputeti Rexhep Selimi dhe ish-udhëheqësit e OVL-së së UÇK-së pritet që të votojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt të këtij viti, raporton Front Online.
Dhomat e Specializuara të Kosovës po sigurojnë ndihmë ligjore që ata të votojnë në këto zgjedhje.
“KSC po siguron ndihmë, brenda kornizës së duhur ligjore, për të Burgosurit për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e ardhshme”, kanë thënë për Front Onlinë nga Zyra për Informim e Dhomave të Specializuara.
Front Online ka pyetur edhe për mundësinë e lirimit me kusht të të apostrofuarve më lartë, por ata kanë thënë se kjo çështje i takon gjyqtarit të procedurës paraprake që të vendosë për çdo propozim nga mbrojtja.
“Lidhur me pyetjen tuaj në lidhje me “lirimin me kusht”, do t’i takojë gjyqtarit të procedurës paraprake të vendosë për çdo propozim nga Mbrojtja”, thuhet në përgjigjen e tyre për Front Online.
Ish-eprorët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi kanë udhëtuar për në Hagë me një aeroplan ushtarak në nëntor të 2020.
Prokuroria Speciale pranë Gjykatës Speciale në Hagë, një ditë para tyre, e arrestoi edhe ish-zëdhënësin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Në aktakuzën e konfirmuar thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes.
Në Hagë në paraburgim po qëndrojnë edhe udhëheqësit e OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Ata akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës