Policia në Prishtinë ka arrestuar tre persona të dyshuar për rastin e një vjedhjeje të rëndë, si dhe një tjetër për përdorim të paautorizuar të armëve.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka deklaruar se rasti i vjedhjes ka ndodhur më 6 tetor.
Ahmeti ka treguar se të dyshuarit kanë vjedhur gjësende në vlerë prej 70 mijë euro.
“Rasti i vjedhjes ka ndodhur me datën 06.10.2020 në lagjen Veterrnik në Prishtinë, saktësisht në një market, ku janë vjedhur gjësende në vlerë rreth 70.000 euro”, ka deklaruar Ahmeti.
“Personat e dyshuar: F.A. (mashkull) 2000, B.A. (mashkull) 1995, M.G. (mashkull) 1996, pas arrestimit me autorizim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërkohë që hetuesit policor po punojnë në kapjen e personit të tjetër të dyshuar, i cili është identifikuar nga ana e policisë dhe aktualisht ndodhet në arrati”, ka deklaruar Ahmeti për Express.
Ndërkohë, policia ka bastisur tri lokacione, ku në njërin prej tyre kanë gjetur dhe sekuestruar katër armë zjarri.
“Hetuesit policor në kuadër të ketij aksioni, kanë kryer tri bastisje në tri lokacione të ndryshme dhe në njërin prej tyre kanë gjetur dhe sekuestruar katër armë zjarri. Për armëmbajtje pa leje është dërguar në mbajtje i dyshuari H.A mashkull (1972)”, ka deklaruar Ahmeti.