×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    VOA padit mbikëqyrësin USAGM me qëllim që të rinisë punën pas urdhrit të Trumpit

    FrontOnline
    22 Mars 2025

    Një grup që përfshin gjashtë gazetarë të Zërit të Amerikës (VOA) kanë dorëzuar një padi kundër administratës të presidentit amerikan, Donald Trump, dhe zyrtarëve të tjerë, duke i akuzuar ata se kanë mbyllur paligjshëm disa transmetues të financuar nga publiku.

    Padia, që u dorëzua më 21 mars në Nju Jork, akuzon administratën Trump se ka ndërmarrë një qasje të ashpër ndaj Agjencisë së SHBA-së për Media Globale përmes një urdhri ekzekutiv të nënshkruar një javë më parë.

    Disa orë më vonë, stafi i VOA u vendos në pushim administrativ dhe ndërtesat e kësaj media u mbyllën.

    Shumë vëzhgues të mediave dhe analistë kanë thënë se vendimi për të ndërprerë operacionet e VOA dhe transmetuesve të tjerë të financuar nga shteti do të trimërojnë autoritarët në mbarë botën, duke humbur “një linjë kritike” të informacionit për popullsitë e tyre.

    “Ajo çfarë po ndodh me gazetarët e VOA-s nuk është vetëm frikësim i fjalës së lirë, që buron nga Neni i Parë i Kushtetutës amerikane; është mbyllja e gazetarisë nga qeveria, një kufizim që e shuan përmbajtjen para se të krijohet”, u tha në padi.

    Padia është ngritur edhe kundër ushtruesit së detyrës të drejtorit të USAGM-it, Victor Morales, dhe këshilltares së posaçme, Kari Lake. Në padi thuhet se lëvizjet e administratës Trump për të mbyllur USAGM-in shkelin të drejtat e punëtorëve të VOA që burojnë nga Neni i Parë i Kushtetutës amerikane.

    Padia po ashtu i kërkon gjykatës që të rikthejë grantin e USAGM-it për mediat që financohen përmes atij granti, përfshirë Radio Evropa e Lirë, Radio Azia e Lirë dhe Rrjeti i Transmetuesit për Lindje të Mesme. Granti i këtyre mediave u ndërpre në ditën e njëjtë që VOA u mbyll.

    “Pala që është paditur ka shkelur të gjitha këto ligje duke mbyllur USAGM-in dhe duke ndërprerë plotësisht aktivitetin e mbledhjes dhe shpërndarjes së lajmeve dhe opinioneve përmes VOA dhe shërbimit të saj simotër, Radio Televizioni Marti, por edhe mediat e tjera partnere si Radio Evropa e Lirë dhe Rrjeti i Transmetuesit për Lindje të Mesme. Këto veprime janë jokushtetuese dhe të paligjshme dhe ato duhet të ndalen menjëherë”, u tha në padi.

    “Sulm tragjik ndaj demokracisë”

    Përveç gjashtë gazetarëve të Zërit të Amerikës, pjesëmarrës në padi janë edhe Federata Amerikane e Punëtorëve Qeveritarë, Federata Amerikane e Punonjësve të Shtetit, Qarkut dhe Komunave, The NewsGuild-CWA, Shoqata Amerikane e Shërbimit të Jashtëm dhe Reporterët pa Kufij.

    David Seide, këshilltar i lartë në Projektin e Llogaridhënies Qeveritare, një organizatë jopartiake për mbrojtjen e të drejtave civile dhe mbrojtjen e sinjalizuesve, që po përfaqëson gazetarët e VOA-s në këtë çështje, e quajti veprimin e administratës amerikane “një tjetër sulm tragjik ndaj demokracisë”.

    “Për më shumë se tetë dekada, VOA dhe organizatat e tjera simotra kanë qenë të shquara, që dëshmohet edhe nga mbi 400 milionë shikues, dëgjues dhe lexues që kanë pasur çdo ditë”, tha ai. “Ky reputacion tani është shkatërruar. Padia jonë synon që të ndalë këtë shkatërrim”.

    Kari Lake, një mbështetëse e zëshme e Trumpit, nuk u përgjigj menjëherë për këtë lajm, por rreth kohës kur doli lajmi për padinë, ajo shkroi në X se kur The Washington Post, The New York Times, NPR, CBS, dhe 60 Minutes i kërkuan intervista gjatë kësaj jave, po ajo kishte refuzuar.

    “Unë nuk jam intervista për ‘media’ të diskutueshme”, shkroi ajo.

    Shumë republikanë, përfshirë Trump dhe Lake, kanë pretenduar se VOA dhe transmetuesit e tjerë janë të infektuar nga propaganda e krahut të majtë, një akuzë që drejtuesit e këtyre transmetuesve thonë se nuk mbështetet në fakte.

    Më 18 mars, Radio Evropa e Lirë ngriti padi ndaj USAGM, Lake dhe Morales, për të bllokuar përpjekjet e tyre për të ndërprerë grantin federal për REL-in, që i ofron kësaj media fonde për të operuar.

    Reagimet në Kosovë për mbylljen eventuale të REL-it

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë riafirmoi rolin thelbësor të Radios Evropa e Lirë në promovimin e gazetarisë së besueshme në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.

    Zëdhënësja Ioanna Lachana tha se nga ndalja e punës së REL-it do të përfitonin “vetëm ata që përhapin narrativë përçarës”.

    Ambasada gjermane në Kosovë e përshkroi REL-in si “fener të raportimit të lirë dhe të paanshëm” dhe konfirmoi se BE-ja po shqyrton mënyra për ta mbështetur atë.

    Për eksperten kosovare të medias, Flutura Kusari, ndërprerja e fondeve për REL-in paraqet një goditje serioze mbi informimin publik.

    “Radio Evropa e Lirë është shembull i gazetarisë së përgjegjshme në Kosovë”, tha Kusari, këshilltare ligjore pranë Qendrës Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias.

    Ish-kryeredaktori i programit për Kosovën në Radion Evropa e Lirë, Melazim Koci, tha se mbyllja e mundshme e REL-it do të ishte një “fatkeqësi” për lirinë e medias dhe demokracinë.

    Ndërsa, gazetari dhe publicisti Enver Robelli e vlerësoi REL-in si një prej burimeve më të besueshme të informacionit për botën shqiptare.

    Padia argumenton se mohimi i fondeve të miratuara nga Kongresi për REL-in shkel ligjet federale dhe Kushtetutën e SHBA-së, e cila i jep Kongresit autoritetin ekskluziv mbi shpenzimet federale.

    Padia është dorëzuar në gjykatën e qarkut të Kolombias.

    “Nuk është koha për t’i dhënë terren propagandës dhe censurës së kundërshtarëve të Amerikës”, tha presidenti i REL-it, Stephen Capus.

    “Ne besojmë se ligji është në anën tonë dhe festa për shkatërrimin tonë nga despotët nëpër botë është e parakohshme”, shtoi ai.

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni23 Mars 2025
    Kundërshtari kryesor i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan është arrestuar dhe po akuzohet për korrupsion. Ekrem Imamoglu, kryebashkiaku i Stambollit, pritet të...
    Bota/Rajoni23 Mars 2025
    Kryeministri Edi Rama ka marrë një dhurate këtë të shtunë (23 mars) në Vlorë, teksa prezantonte kandidatët socialistë të zgjedhjeve të 11...
    Bota/Rajoni23 Mars 2025
    Kanadezët do të votojnë më 28 prill pasi kryeministri Mark Carney shpalli zgjedhje të parakohshme. Carney thotë se qeveria e tij dëshiron...
    Të tjera
    Lajme23 Mars 2025
    Një vrasje e rëndë ka tronditur sonte Vushtrrinë. Burime të Veriu.info mëson se personi i vrarë është 18 vjeçari A. Zymeri. Siç...
    Kronika23 Mars 2025
    Një person raportohet të jetë vrarë në Vushtrri Periskopi mëson se viktima është një 15 vjeçar nga Vushtrria me inicialet A.Z. Dorasi...
    Lajme23 Mars 2025
    Kombëtarja e Kosovës ka shkruar sonte histori, duke e fituar edhe duelin e kthimit ndaj Islandës, për ta siguruar plasmanin në Ligën...
    Kronika23 Mars 2025
    Një person raportohet të jetë vrarë në Vushtrri Periskopi mëson se viktima është një 15 vjeçar me inicialet A.Z… Lajmi në përditësim…
    Lajme23 Mars 2025
    Një person raportohet të jetë vrarë në Vushtrri Sipas burimeve të Gazetës10 rasti ka ndodhur afër një kafeneje, teksa janë dëgjuar edhe...
    Lajme23 Mars 2025
    Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka vizituar një fermë në fshatin Radavc të Pejës. Ai ka publikuar edhe një video...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.