Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po e mohon se në Kryesinë e kësaj partie është diskutuar për futjen e PDK-së në koalicionin qeverisës, raporton Front Online.
Anipse kohëve të fundit janë shtuar zërat se një marrëveshje mund të ndodh shumë shpejt, nënkryetari i kësaj partie, Haki Rugova, për Front Online ka thënë se nuk janë takuar me PDK-në dhe se nuk është diskutuar për këtë temë.
“ Unë nuk kam informacione, nuk është diskutuar ajo pjesë në mbledhje të Kryesisë”, tha ai për Front Online.
E, në lidhje me mundësinë që e propozuara për Presidente të jetë ish-ambasadorja Vlora Çitaku nga PDK-ja, Rugova ka thënë se kjo është çështje që rregullohet në bazë të marrëveshjeve dhe konsensuseve politike që arrijnë partitë.
“Ajo është temë tjetër, nuk do të flasë për individë. Kjo është çështje e konsensuseve dhe marrëveshjeve. Unë veproj në bazë të vendimeve që i merr Kryesia e LDK-së dhe Këshilli i Përgjithshëm. Çdo vendim që merret aty, unë i qëndroj mbrapa”, ka thënë Rugova për Front Online.