Vllaznia është fituesja e Kupës së Shqipërisë për edicionin 2020/21.
Skuadra shkodrane mundi mbrëmjen e djeshme në stadiumin “Air Albania” ekipin e Skënderbeut me rezultatin minimal 0:1, duke fituar kështu Kupën e Shqipërisë pas plot 13 vitesh, përcjell FrontOnline.
Një ndeshje e mbushur me emocione të mëdha u zhvillua në stadiumin “Air Albania”, ku të dyja ekipet zhvilluan një lojë të fortë e të bukur, që u mbështetën edhe nga numri i limituar i tifozëve që u kthyen në shkallët e stadiumit pas më shumë se një viti, për shkak të pandemisë COVID-19.
Goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga braziliani Da Silva, në minutën e 39-të, i cili gjuajti bukur me të majtën nga brenda zonës, pas një pasimi të marrë nga Isaevski. U desh devijimi i mbrojtësit të Skënderbeut, Vitija që topi të përfundonte në rrjetën e korçarëve dhe ekipi shkodran të kalonte në avantazh.
Pjesa e dytë e lojës nisi vrullshëm për korçarët, të cilët kërkuan golin e barazimit, por ishin të pafat, me Vllazninë që arriti të ruajë rezultatin deri në fundin e ndeshjes dhe të fitonte kështu për herë të shtatë në historinë e krijimit të klubit Kupën e Shqipërisë.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, të cilët i dorëzuan medaljet dhe trofeun e kupës skuadrës shkodrane, që nisi festën për këtë fitore, në praninë e qindra tifozëve shkodranë./FrontOnline/