Të gjeturat e Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën, të cilat ndërlidhen me Kuvendin e Kosovës, përkatësisht plani për mbikëqyrjen e integrimit në BE 2020-2021, ishte tema e takimit të sotëm të kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, me kryetarë të komisioneve parlamentare.
Duke folur për procesin e integrimit evropian si prioriteti politik më strategjik për Kosovën, si dhe për mbështetjen unanime që qytetarët e Kosovës i japin këtij procesi, kryeparlamentarja Osmani tha se Kosova dhe BE kanë marrëdhënie të ngushta dhe të çmuara, ndërsa nga viti 2016 edhe marrëdhënie kontraktuale. Megjithatë, Osmani tha se Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon pa të drejtë të lirisë së lëvizjes në Zonën Shengen.
Duke vlerësuar se Kuvendi është forumi kryesor që duhet të inkurajojë debatin politik dhe të sigurojë konsensusin e nevojshëm politik në rrugën drejt BE-së, kryetarja Osmani foli për angazhimet e legjislativit në zbatimin e rekomandimeve që dalin Raporti për Kosovën i këtij viti.
“Unë jam e lumtur që Kuvendi ka arritur të identifikojë rekomandimet kryesore që dalin nga Raporti për Kosovën 2020. Ky dokument do të jetë udhërrëfyesi i punës sonë për vitet 2020-2021. Qëllimi ynë është të forcojmë rolin e Kuvendit në mbikëqyrjen e ekzekutivit dhe institucioneve të tjera në procesin e integrimit në BE. Për këtë qëllim, ne kemi identifikuar 120 rekomandime në të gjitha fushat e mbuluara nga raporti për vendin dhe secilin rekomandim ia kemi deleguar komisionit përgjegjës të Kuvendit, si dhe institucionit shtetëror zbatues. Gjithsej kemi identifikuar 25 institucione shtetërore që do t’i mbikëqyrim në zbatimin e 120 rekomandimeve të Raportit për Vendin“, theksoi kryetarja Osmani.
Ajo shprehu përkushtimin e saj për të punuar me kryetarët e komisioneve dhe me partitë politike në monitorimin e të gjitha gjetjeve të raportit dhe mbajtjen e seancave të rregullta plenare për të shqyrtuar progresin e bërë në zbatimin e rekomandimeve.
“Procesi i integrimit në BE është një maratonë, për të cilin duhet një vullnet i hekurt. Tani, ne do ta rrisim fokusin tonë në ushtrimin e funksionit kryesor të Kuvendit – mbikëqyrjen e ekzekutivit dhe institucioneve të tjera“, theksoi Osmani.
Ajo inkurajoi drejtuesit e komisioneve që të trajtojnë të gjeturat dhe rekomandimet e Raportit, si dhe të planifikojnë realizimin e tyre.
Kryetarët e komisioneve parlamentare, nga ana e tyre, takimin e sotëm e konsideruan të një rëndësie të veçantë, përderisa shprehën përkushtimin për të trajtuar me seriozitet rekomandimet e adresuara nga raporti i KE-së.
Ata u angazhuan për një bashkëpunim të ngushtë me të gjithë akterët relevantë, në planifikimin dhe realizimin me sukses të këtyre rekomandimeve.