Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka publikuar në Facebook një fotografi të papublikuar më herët të presidentit historik Ibrahim Rugovës.
Osmani ka shkruar se këtë fotografi e ka huazuar nga koleksioni i fotografive personale të shkrimtarit Abdullah Kounushevci.Osmani në ditën ndërkombëtare të lëvizjeve kundër dhunës ka shkruar se bota u falet lëvizjeve të mëdha paqësore, të cilat e kanë shënuar historinë e vjetër dhe të re të saj.
“Ajo i përkulet fuqisë mobilizuese dhe solidaritetit të paparë ndërnjerëzor, të cilin këto lëvizje ia falën si shembull qëndrese e mosdorëzimi botës së qytetëruar. Nga Mahtma Gandhi te Nelson Mandela; nga Martin Luther Kingu te Ibrahim Rugova e Vaclav Haveli, bota njohu personalitete të jashtëzakonshme intelektuale e politike, të cilët me fuqinë e mendjes së tyre, me ngulmimin prej qëndrestarësh dhe me vizionin prej ideologësh nacionalë ia falën botës modelin e papërsëritshëm të sjelljes politike karshi dhunës. Ata e jetësuan fatin e popujve të tyre në ëndrrën e madhe të lirisë, ua falën atyre lirinë për veten, por edhe për tjetrin, duke e skalitur modelin e papërsëritshëm human në politikë”, ka thënë ai.“Lëvizja aktive paqësore për liri, e themeluar nga Presidenti historik në fundvitet ’80 të shekullit të kaluar, e arriti përmasën më të lartë të lirisë: lirinë e brendshme, e cila pastaj u bë shtytësja e madhe e qëndresës kundër dhunës, derisa u arrit edhe liria e jashtme, liria fizike. Prijësi i saj qe ikona e saj. Ai mbetet udhërrëfyesi të cilin, sikur thoshte Marie Franqoise Allen, “fati e solli për ta zgjidhur çështjen shqiptare”. Po ai fat i cili e mori atë ende pa u përmbushur vizioni i tij për shtet demokratik, por i cili mbetet përjetësisht në themelet e tij”, ka shkruar Osmani.