Qytetarët e Vjenës po i përmbahen thirrjes së autoriteteve të vendit për të qëndurar në shtëpi një ditë pas sulmit terrorist. Sot ka pasur heshtje totale në metro, tramvaj e autobusë. Po ashtu, shumë pak dyqane qëndruan të hapura. Bisedat ndërmjet njerëzve janë dëgjuar shumë rrallë. Edhe kur janë dëgjuar, ato janë zhvilluar vetëm lidhur ngjarjet e mbrëmshme. Njerëzit janë parë të depresionuar dhe në tension, raporton Plus24, transmeton Gazeta Express.
“Jam i frikësuar dhe i kënaqur që do të jem në gjendje të shkoj në shtëpi së shpejti”, tha shitësja e dyqanit në një furrë buke pranë stacionit nëntokësor Schottentor. Ajo punon në një nga pak dyqanet në qendër të qytetit që janë hapur të martën në mëngjes.
“Vështirë se vijnë njerëz, po ndodh shumë pak”, tha një shitëse tjetër në dyqanin pranë tij. Ajo gjithashtu ndihet e pasigurt, siç tha vetë. Sipas saj, ka pasur dukshëm më pak klientë sot sesa ditëve tjera.
Tërësisht e vetmuar gjatë gjithë ditës është ndjerë edhe një shitëse në një librari përballë. “Nuk ka pasur as edhe një klient të vetëm deri më tani”, tha ajo. Sot, tha ajo, vështirë se ndokush do të shkonte për të bërë pazar.
“Ne mund të jemi të lumtur që jemi mirë”, tha ajo, ndërsa u ul para një rafti bosh që zakonisht përmban gazeta të përditshme. As ato nuk u sollën sot.
Një nga taksistët e paktë që ka qëndruar rrugës në qendër të qytetit përshkruan një atmosferë morti.
“Për dy orë kam pasur vetëm dy pasagjerë”, tha ai.
Shqiptari 20 vjeçar me origjinë nga një fshat i Tetovës së Maqedonisë së Veriut ka qenë kryeprotagonisti i terrorit të mbrëmshëm. Ai dyshohet se ka vrarë katër persona dhe i ka plagosur 22 të tjerë. Vrasësi me nënshtetsi austriake mbante një kallashnikov, një pistoletë dhe një thikë të madhe, kur hapi zjarr pak para orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme. Ai u qëllua për vdekje nga Policia rreth 9 minuta më pas.
Ndërkaq tre shqiptarë me origjinë nga Kosova kanë qenë në frontin e Policisë austriake që mbrëmë pati një natë të gjatë duke u përpjekur që ta kthehjnë shpejt sigurinë në Vjenë.
Në mesin e viktimave të këtij sulmi ka qenë edhe Nexhip Vrenezi, po ashtu shqiptar, me origjinë nga Struga e Maqedonisë së Veriut.