Miroslav Lajçak do ta vizitojë Prishtinën dhe Beogradin javën tjetër. Për ditë, ka pasur spekulime se ai do ta çonte me vete një letër në Serbi me një kërkesë të njihet pavarësia e Kosovës. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e mohon atë, por nuk përjashton presionin në periudhën e ardhshme, transmeton Gazeta Express.
Duket se Miroslav Lajcak është përballur me të njëjtat sfida për gati një vit, që nga fillimi i mandatit të tij si ndërmjetës i BE-së në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk ka më ato karrota në formën e integrimit në BE që supozohej të shërbenin si qetësues për opinionin publik serb për të thënë që “e humbët Kosovën, por fituat anëtarësimin në BE”. Asgjë nga kjo nuk do të zgjasë shumë. Unë mendoj se misioni i tij do të jetë i pasuksesshëm nga niveli taktik, ai vjen ekskluzivisht për ta ndjerë pulsin pas zgjedhjeve të fundit në Prishtinë”, thotë Dushan Prorokoviq, analist.
Në prag të vizitës në Prishtinë dhe Beograd, Lajçak u gjend në qendër të vëmendjes. Gjegjësisht, ai postoi në Twtitter një fotografi nga zyra e tij, por vëmendja shkoi aty ku s’i kishte shkuar mendja emisarit evropian, në hartën pas tij ku Kosova ishte brenda kufijve të Serbisë.
Përpjekjet e tij dhe të BE-së për t’u shpjeguar provokuan reagime të reja. Lajçak shpjegoi se kjo ishte harta zyrtare e BE-së, se Kosova ishte atje, dhe se aty ishte që e ndan Kosovën nga Serbia, por ajo vijë ishte shumë më e hollë se ato që shënonin kufijtë shtetërorë të vendeve tjera. Më në fund, si duket ai ka parë në këtë një konfirmim të rëndësisë së dialogut.
Megjithëse presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden i bëri thirrje Serbisë për njohje të ndërsjellë me Kosovën, Bashkimi Evropian beson se vetëm Prishtina dhe Beogradi mund ta arrijnë kompromisin e nevojshëm.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se qëllimi kryesor i dialogut është arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ndërsa nuk ka përmendur njohjen reciproke. /Express/