Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka mohuar se është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për tenderët e dyshimtë të dhënë gjatë pandemisë.
“Unë nuk jam duke u hetuar nga Prokuroria”, ka thënë Vita.
Ndonëse Prokuroria Themelore e Prishtinës dje e konfirmoi për Express se ka nisur hetime për tenderët e dyshimtë të MSH-së që u dhanë gjatë kohës kur ky dikaster udhëhiqej nga Vitia, ish-ministri thotë se organi i akuzës po i heton tenderët që vetë ai i ka dërguar atje.
“Prokuroria po merret me hetimin e procedurave të prokurimit të të gjithë tenderëve që unë i kam dërguar për hetimin në Krimet Ekonomike, Autoritetin e Konkurrencës dhe Prokurorinë e Shtetit” tha ai.
“Të gjithë tenderët në të cilët kam menduar se është keqpërdorur detyra zyrtare i kam dërguar dokumentet për hetimin e tyre në maj vitit 2020 sa isha vet ministër” shtoi Vitia.
Express raportoi dje se tenderët e dhënë nga Ministria e Shëndetësisë gjatë kohës kur ajo udhëhiqej nga Arben Vitia, kanë përfunduar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, e cila ka iniciuar rast për ta hetuar procesin e dhënies së tyre.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.
“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se lidhur me këtë çështje Prokuroria Themelore në Prishtinë ka iniciuar rast për zhvillimin e hetimeve”, ka thënë Ulaj, e cila nuk ka treguar nëse Vitia është intervistuar për këtë çështje.
“Gjakderdhje financiare” në Ministrinë e Arben Vitisë (Dokument)