×
  • Lajme
  • Front TV
  • Front TV

    Viti i zi për Kosovën/ 1 mijë e 688 të vdekur nga COVID-i, të vetmit pa vaksina në Evropë

    FrontOnline
    13 Mars 2021

    Heshtje, rrugë të zbrazëta, policë në çdo cep të rrugës, e disa qenë endacakë që silleshin vërdallë.

    Alarmet e policisë, heshtja e frika të ngjasonin në kohë lufte.

    Ishte kjo mbrëmja e 13 marsit të 2020-tës, pasi u dha lajmi se në Kosovën ishin shfaqur dy rastet e para me virusin vdekjeprurës Covid-19.

    Të parët që u preken me këtë virus, në 13 marsin e 2020-tës, ishin një 20 vjeçare, shtetase italiane dhe një shtetas i Kosovës i moshës 77 vjeç nga Vitia.

    Institucionet u mobilizuan.

    Qeveria mori vendim për ndërprerjen e mësimit në të gjitha nivelet si dhe ndaloi tubimet publike.

    U pezulluan edhe linjat ajrore dhe tokësore me Gjermaninë, Zvicrën, Francën dhe Italinë, vende këto të cilat kishin numër të lartë të të infektuarve, ndërsa, menjëherë u shqyrtua edhe mundësia e mbylljes së pjesshme të kufijve.

    Vendime të shumta u morën në mbledhjen e vonshme të 13 marsit, ditën kur frika i kaploi qytetarët kosovarë.

    U ndalua veprimtaria e restoranteve, klubeve të natës, palestrave e pishinave pas orës 23:00, u ndalua transporti i organizuar ndërkombëtar si me autobus e minibus drejt vendeve me rrezik të lartë, e vendime të tjera ndërsa u tha se personat juridik e fizik që nuk i respektojnë dhe i shkelin vendimet, do të ndëshkohen sipas legjislacionit në fuqi.

    U vendos që personat që vinin nga vendet e huaja të karantinoheshin për dy javë.

    Vetëvrasja e të riut në karantinë

    Menza e Studentëve u shndërrua në karantinë për një kohë të gjatë, vend ky ku edhe gjeti vdekjen i riu nga Gjilani, Agon Musliu, i cili dyshohet se u vetëvra.

    E, nga 13 marsi rastet dita-ditës po shtoheshin.

    Secila komunë e cila regjistronte raste me Covid-19 futej në karantinë.

    Tri komunat e para në vend që u futën në karantinë ishin Klina, Vitia e Malisheva.

    Mjekët në Kosovë gjendeshin para një situate të rëndë, ndërsa vendi gjendej në një situatë të pazakontë.

    E, deri më 24 maj numri i personave që testoheshin arrinte rreth 200 në ditë, derisa numri i te infektuarve arriti të jetë dyshifrorë.

    Data 24 maj e vitit 2020, shënoi zero raste pozitive nga 138 testime që ishin realizuar.

    Kjo ishte edhe dita e parë kur në Kosovë që nga shfaqja e rasteve të para më 13 mars nuk u regjistrua asnjë person i infektuar me këtë virus.

     

    Rritje alarmante e rasteve gjatë muajve të verës

    Gjatë qershorit u vërejt rritje e të infektuarve deri në atë masë sa më 15 qershor u regjistruan raste treshifrore, plot 129 pozitivë krahas 10 sa gjetën shërim.

    Një ditë më vonë të infektuar pati edhe më shumë, 141 raste të reja dhe veç pesë e kishin kaluar pandeminë.

    Por numër alarmant u shënua të shtunën e parë të korrikut. 178 raste dolën pozitive që ishte numri më i lartë i regjistruar që nga shfaqja e pandemisë, teksa 50 u shëruan.

    E, pikërisht në fillim të muajit korrik të vitit 2020, dyshohet se si pasojë e mungesës së oksigjenit në Klinikën Infektive vdiqën katër pacientë, shkruan Front Online.

    Në natën kritike të 5 korrikut stafi kujdestar kishte ftuar Policinë e Kosovës për të hetuar rastin pas dyshimeve pasi pacientët kishin vdekur në të njëjtën kohë.

    Situata në vend po rëndohej pasi që numri i të infektuarve po rritej.

    Në fillim të dhjetorit numri i rasteve arriti rreth 600 të infektuar në ditë.

     

    I vetmi shtet në Evropë që s’ka filluar vaksinimin!

    E pavarësisht premtimeve Qeveria e Kosovës nuk po arrinte të sjellë asnjë dozë vaksine anti-Covid derisa shtetet e tjera kishin nisur kohë më parë vaksinimin.

    Kosova as sot, një vit pas shënimit të rasteve të para nuk ka arritur të sigurojë vaksina për qytetarët.

    Numri i madh i infektimeve, filloi të bie në fund të dhjetorit kur në një ditë u regjistruan vetëm 109 raste të reja me Covid-19.

    Por, ky trend i numrit nuk vazhdoi gjatë.

    Kjo për shkak që pas rrëzimit të Qeverisë Hoti, në fund të dhjetorit vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme.

    E, më këtë vendim subjektet politike menjëherë filluan fushatën e tyre duke shkuar anë e kënd Kosovës për të siguruar vota.

    Nuk respektuan asnjë masë antiCovid, ani pse të njëjtit bënin thirrje çdo ditë për respektim të tyre, madje nuk e zbatonin as ligjin të cilin vet e kishin miratuar në Kuvendin e Kosovës.

    Qindra qytetarë pa maska e pa respektim të asnjë mase shiheshin në restorante të ndryshme e oda duke përkrahur subjektet politike.

    Këto tubime u kushtuan shumë qytetarëve.

    Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve numri i të infektuarve po vazhdon të rritet.

    Për një vit numri totali i rasteve pozitive me Covid-19 në Kosovë ka arritur në 76 mijë e 110 të infektuar deri sa janë testuar 348 mijë e 381 persona të dyshimtë me virusin SARS-CoV-2.

    Deri tani numri i personave që kanë humbur jetën me Covid-19 në Kosovë ka arritur në 1 mijë e 688.

    Janë shëruar 63 mijë e 892 persona, derisa raste aktive janë 10 mijë e 530/Front Online/

     

     

     

    Nga Rubrika
    Lajme16 Nëntor 2024
    Ish-kryeministri Avdullah Hoti është duke qëndruar në Francë, ku edhe ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të “IESEG School of Menagement” në...
    Lajme16 Nëntor 2024
    Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për Marko Dantiq, i dyshuar për pjesëmarrje në sulmet ndaj KFOR-it në Zveçan...
    Lajme16 Nëntor 2024
    Kombëtarja e Kosovës e ka lëshuar mbrëmë stadiumin në minutat e fundit të ndeshjes kundër Rumanisë pas thirrjeve raciste që janë bërë...
    Të tjera
    Lajme16 Nëntor 2024
    Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar ndaj opozitës dhe Gjykatës Kushtetuese për çmimet e larta, duke thënë se sikur Ligji për Çmimet Tavan të...
    Sport16 Nëntor 2024
    Ish-kryetari i Ligës Profesioniste të Rumanisë, kosovarët i ka quajtur “njerëz të egër”. Ky deklarim i tij vjen pas ndërprerjes së ndeshjes...
    Lajme16 Nëntor 2024
    Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për të ndihmuar në identifikimin e tre personave të dyshuar për shpërdorim të pasurisë...
    Bota/Rajoni16 Nëntor 2024
    I riu shqiptar që u kap me një arsenal armësh në makinën e tij, është dënuar nga një gjykatë angleze. Bëhet fjalë...
    Lajme16 Nëntor 2024
    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar edhe fabrikën e stiroporit dhe rrjetave të fasadave “Rreze Company” në Skenderaj. Hamza...
    Vip16 Nëntor 2024
    Burimi e ka pyetur Anisën nëse ajo mendon që brenda shtëpisë mund yë ketë dashuri të vërtetë. Ajo është përgjigjur se secili...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.