
Gjatë vitit 2025, sektori privat në Kosovë ka shënuar një rënie të dukshme në numrin e bizneseve aktive, gjë që dëshmon për sfidat e vështira që sektori privat i bizneseve ka pasur.
Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), gjatë këtij viti janë shuar 1,348 biznese, ku dominon mbyllja e veprimtarive të vogla, të cilat përballen me shumë vështirësi në menaxhimin e kostove operative dhe konkurrencën në treg.
Ndërkohë, sipas Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), gjatë të njëjtit vit janë dorëzuar 2,571 kërkesa për ç ‘regjistrim të bizneseve.
Gjatë vitit 2025 u shuan 1,348 biznese, dominon mbyllja e veprimtarive të vogla
Gjatë vitit 2025 është shënuar një numër i konsiderueshëm i bizneseve të shuara në Kosovë, ku pjesa dërrmuese i përket kategorisë së bizneseve individuale, duke sinjalizuar vështirësi të theksuara në sektorin e vetëpunësimit dhe në ekonominë e vogël.
Sipas të dhënave nga ARBK e që i ka siguruar FrontOnline për strukturën e bizneseve të mbyllura sipas formës juridike, gjithsej 1104 biznese individuale janë shuar gjatë këtij viti, duke përbërë shumicën absolute të subjekteve që kanë ndërprerë aktivitetin.
Pas tyre renditen 215 shoqëri me përgjegjësi të kufizuar (Sh.p.k.), ndërsa format e tjera juridike paraqiten në numër shumë më të ulët. Konkretisht, janë shuar 14 degë të shoqërive të huaja, 13 ortakëri të përgjithshme, si dhe vetëm 1 kooperativë bujqësore dhe 1 shoqëri aksionare.

Po ashtu, sipas ARBK-së, bizneset sipas sektorëve që kanë pasur shuarjen më të madhe janë 370 të tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i mjeteve motorike dhe motocikletave, 156 industria e përpunuesve, prodhimtaria, pastaj 115 të aktivtiteve profesioanle dhe teknike, mandej 114 biznese që janë shuar janë të sektorit të hotelerisë dhe akomodimit, 105 biznese të shuara nga sektori i ndërtimtarisë, 93 nga sektori i transprotit dhe 92 nga sektori bujqësor dhe pylltarisë.

Ndërkaq, biznese active sipas ARBK-së janë 13.008 biznese.

ATK: 2,571 kërkesa për ç’regjistrim biznesesh, asnjë kompani e madhe nuk ka kërkuar mbylljen
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) për FrontOnline ka njoftuar se në Qendrat e Shërbimit të Tatimpaguesve, në të gjitha drejtoritë rajonale, janë pranuar mijëra kërkesa për çregjistrimin e bizneseve.
“Në Qendrat e Shërbimit të Tatimpaguesve, në të gjitha drejtoritë rajonale, janë pranuar gjithsej 2,571 kërkesa për çregjistrimin e bizneseve. Duhet theksuar se këto kërkesa për mbyllje nuk konsiderohen si raste të mbyllura, pasi procesi i mbylljes së biznesit zhvillohet sipas një procedure tjetër, e cila kërkon kohë dhe realizohet në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.
‘’Ndërkohë, nga ATK/ZQ janë pranuar 21 kërkesa për regjistrimin e përfaqësuesve fiskalë”, thekson Administrata Tatimore për FrontOnline.
Po ashtu, ATK bën të ditur se nuk posedon të dhëna mbi arsyet e mbylljes së bizneseve dhe se nuk ka kompani të mëdha që kanë kërkuar çregjistrim.
“ATK nuk disponon të dhëna lidhur me arsyet e çregjistrimit të subjekteve. Po ashtu, nuk ka pasur biznese të mëdha që kanë paraqitur kërkesë për mbyllje”, thuhet në përgjigje.
Dreshaj: 2,571 biznese kërkuan ç ‘regjistrim, sinjal serioz për gjendjen e sektorit privat
Përfaqësuesi i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, për FrontOnline e konsideron shqetësim për rritjen e numrit të bizneseve që po mbyllen, duke e cilësuar këtë zhvillim si tregues të vështirësive strukturore në ekonomi.
Sipas tij, të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës, që tregojnë se 2571 biznese kanë kërkuar ç ‘regjistrimin, pasqyrojnë një situatë problematike për sektorin privat.
“Shifra prej 2571 bizneseve që kanë kërkuar ç ‘regjistrimin sipas të dhënave të ATK-së paraqet një indikator serioz për gjendjen aktuale të sektorit privat në vend. Megjithatë, vlerësojmë se numri real i bizneseve që nuk janë funksionale është edhe më i madh se ky numër zyrtar, pasi një pjesë e konsiderueshme e kompanive figurojnë ende aktive në sistem, por në praktikë nuk zhvillojnë aktivitet ekonomik”, deklaroi Dreshaj.
Ai theksoi se ka kompani që rezultojnë aktive vetëm formalisht.
“Ka biznese që raportojnë vetëm qarkullim zero apo që nuk kanë ndërmarrë procedurat formale të mbylljes për arsye administrative, duke mbetur formalisht aktive edhe pse realisht nuk operojnë”, u shpreh ai.
Dreshaj renditi edhe faktorët kryesorë që, sipas tij, po ndikojnë në mbylljen e ndërmarrjeve.
“Arsyet e mbylljes së bizneseve janë të shumta dhe të ndërlidhura me sfidat ekonomike dhe strukturore. Ndër faktorët kryesorë veçojmë shtrenjtimin e energjisë elektrike, rritjen e vazhdueshme të kostove operative, largimin e fuqisë punëtore dhe mungesën e stafit të kualifikuar, si dhe mungesën e reformave fiskale që do të lehtësonin barrën mbi bizneset. Po ashtu, pasiguria ekonomike dhe sfidat administrative vazhdojnë të ndikojnë negativisht në qëndrueshmërinë e ndërmarrjeve, veçanërisht të bizneseve të vogla dhe të mesme”, tha ai për FrontOnline.
Sipas përfaqësuesit të biznesit, situata kërkon reagim institucional për të përmirësuar klimën ekonomike.
“Këto zhvillime duhet të shihen si një sinjal për institucionet që të ndërmarrin masa konkrete për përmirësimin e klimës së të bërit biznes, përmes reformave fiskale, stabilizimit të kostove të energjisë, politikave që ndalin largimin e fuqisë punëtore dhe thjeshtimit të procedurave administrative. Vetëm përmes një qasjeje të tillë mund të krijohet një ambient më i favorshëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe ruajtjen e bizneseve ekzistuese”, theksoi Dreshaj.
Agim Shahini: Që nga Pavarësia u mbyllën mbi 2 mijë biznese në vit, Qeveria e re duhet të veprojë
Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, për FrontOnline ka komentuar situatën e çregjistrimit të bizneseve në Kosovë, duke e cilësuar si një lajm shqetësues për ekonominë dhe tregun e punës.
Sipas Shahinit, mesatarisht që nga shpallja e pavarësisë, mbi 2 mijë kompani janë mbyllur çdo vit, ndërsa mbi 10 mijë kompani të reja janë hapur. Ai thekson se kjo nuk do të thotë se mbylljet janë më të vogla se hapjet.
“Mesatarisht në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë e këndej janë mbyllur mbi 2 mijë kompani në vit dhe po ashtu janë hapur mbi 10 mijë kompani në vit, por kjo nuk do të thotë se mbyllja ka qenë më e vogël se hapja dhe kjo i mbulon ato kompani kanë pasur të punësuar, kanë pasur aktivitet, kanë paguar tatime dhe sot kur flasim për kompanitë që kanë bërë kërkesa për çregjistrim, konsiderojmë se këto kanë pasur më shumë se 3 të regjistruar dhe fati i atyre punëtorëve që kanë mbetur jashtë sistemit të punës nuk dihet. Shifra e bizneseve të hapura e mbulon pjesërisht realitetin, sepse kompanitë që janë mbyllur kishin të punësuar, numër fiskal dhe kontribute. Shumë nga ato kërkesa për çregjistrim përfshijnë kompani me më shumë se tre të punësuar, dhe fatin e këtyre bizneseve dhe punëtorëve nuk e di askush”, deklaroi Shahini për FrontOnline.
Ai ka bërë thirrje që Qeveria e re të marrë një mesazh të qartë dhe të reagojë ndaj këtij fenomeni.
“Qeveria e re duhet të marrë mesazh të qartë se pse po mbyllen bizneset, pse procedurat burokratike janë kaq të ndërlikuara, pse nuk po vijnë investitorët dhe pse qytetarët po largohen nga vendi”, tha Shahini.
Ai thekson se për të frenuar këtë trend negativ, është e nevojshme krijimi i një mjedisi më të favorshëm për biznes, thjeshtimi i procedurave dhe mbështetja e investimeve për të ruajtur vendet ekzistuese të punës dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik.
Ekonomisti Bellaqa: Inflacioni, mungesa e inspektorëve dhe mosformimi i institucioneve ndikuan në ç’regjistrimin e bizneseve
Ekonomisti Jakup Bellaqa për FrontOnline ka komentuar rritjen e kërkesave për ç’regjistrim të bizneseve, duke theksuar se një pjesë e subjekteve ekonomike e ndërpresin aktivitetin për shkak të mosfunksionimit të qëndrueshëm financiar dhe kushteve ekonomike.
Sipas Bellaqës, ka biznese që e nisin aktivitetin, por e ndërpresin atë pas një periudhe të shkurtër operimi, pasi nuk arrijnë të operojnë me sukses.
“Sa i përket kërkesave për ç ‘regjistrim, ka biznese që e kanë filluar biznesin një kohë, por e kanë ndërprerë atë për shkak të aktiviteteve pasi që sipas ligjeve ekonomike, nëse nuk afaron me sukses nga 3-6 muaj, duhet të mbyllet”, tha ai.
Ai theksoi se në vendim ndikojnë edhe faktorë të tjerë ekonomikë.
“Pastaj inflacioni ka ndikuar, pastaj veprimtaria, por kërkesa për ç’regjistrim është për shkak se veç një pjesë e ka bërë”, u shpreh Bellaqa për FrontOnline.
Ekonomisti sqaroi edhe procedurën administrative të mbylljes së një biznesi, duke theksuar se ajo lidhet me përmbushjen e obligimeve tatimore dhe verifikimet në terren.
“Për ç ‘regjistrim duhet kryejnë obligimet tatimore, duhet inspektorët me dalë në terren, pastaj lëshohet ç ‘regjistrimi i biznesit”, deklaroi ai.
Sipas tij, mungesa e inspektorëve, veçanërisht në zonat rurale, po e vështirëson procesin dhe mbikëqyrjen e aktiviteteve ekonomike.
“Po ka kërkesa që disa biznese shumë të vogla në vende rurale edhe inspektor ka pak. Mungesa e inspektorëve ndikon që të mos mbulohet zhvillimi i aktiviteteve”, theksoi Bellaqa.
Ai shtoi se edhe situata institucionale ka reflektuar në sektorin privat.
“Mosformimi i institucioneve ka ndikuar tek bizneset, por bizneset qoftë prodhuese apo eksportuese duhet përkrahur dhe kjo ka ndikuar që të ketë më pak kërkesa”, u shpreh ai.
Në fund, Bellaqa theksoi se mbyllja e bizneseve është pjesë e ciklit ekonomik.
“Biznesi e ka një cikël të rritjes, lindjen, zhvillimin dhe tutje. Dhe nëse biznesi s’ka aktivitet për t’i mbuluar të hyrat, ai edhe falimenton”, tha ai./Front Online