Profesori i Mikrobiologjisë dhe Virologjisë në Universitetin e Padovës, Giorgio Palu ka dhënë një panoramë të qartë të asaj që po ndodh sot në Itali dhe jo vetëm.Shumë vende të Evropës po shohin rritje infektimesh ditët e fundit, mes tyre edhe Italia.Kjo ka panikuar njerëzit që nuk dinë më ç’të besojnë. Në një intervistë për Corriere della Sera, virologu Palu tregon çfarë po ndodh në Itali.
-Profesor Palù, njerëzit janë të dëshpëruar dhe nuk dinë më kë të besojnë. Si u përgjigjeni?
Ekziston shumë alarmizëm. Nuk ka dyshim se po përballemi me një valë të dytë të pandemisë, por qarkullimi i virusit nuk ka ndalur kurrë, edhe nëse, në korrik, rastet duket se ishin zhdukur, falë verës, ajrit, rrezeve ultraviolet që vrasin virusin. Pastaj ishte kthimi nga pushimet, rihapja e shumë aktiviteteve dhe mbi të gjitha kthimi në shkollë.-Numri i rasteve po rritet. Si t’i interpretojmë?
Nga tamponët që dalin pozitivë, 95 për qind e të infektuarve nuk kanë simptoma dhe për këtë arsye nuk mund të përkufizohen si të sëmurë, pika e parë. Pika e dytë: është e sigurt që këta njerëz janë infektuar, domethënë kanë rënë në kontakt me virusin, por nuk është e sigurt se ata janë infektues, domethënë që mund ta transmetojnë virusin te të tjerët. Kjo mund të ndodhë nëse ata kanë ngarkesë të lartë virale, por për momentin nuk e zbulojmë dot këtë në kohë.