Zyrtarë të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova” sot kanë inspektuar punimet e Impiantit të Ujërave të Ndotura në Komunën e Gjakovës, projekt ky i cili siguron mbrojtje nga ujërat e zeza për banorët e kësaj ane.
Zëdhënësja e KRU “Gjakova”, Dafina Syla tha se përmes këtij projekti qytetarët e Gjakovës nuk do kenë më telashe me ujërat e zeza dhe se do sigurohet mjedis më i shëndetshëm.
Syla tha se kostoja e këtij projekti që ka nisur në vitin 2016 është 16.8 milionë euro, kurse finalizimi i Impiantit të Ujërave të Ndotura pritet të bëhet në mars të vitit të ardhshëm.
“Impianti i trajtimit të ujërave të ndotura në komunën e Gjakovës është projekt shumë i rëndësishëm për qytetarët e kësaj komune, ku përmes teknologjive bashkëkohore ujërat e ndotura përpunohen duke u derdhur si ujëra të pastra. Me finalizimin e këtij projekti qytetarët e Gjakovës do kenë shëndet dhe një mjedis më të pastër. Ky projekt po realizohet me bashkëfinancim të qeverisë zvicerane, gjermane dhe komunës se Gjakovës. Vlera totale e projektit është 16.8 milionë euro. Punimet e këtij impianti kanë filluar në shkurt të vitit 2016, kurse pritet të përfundojnë në mars të vitit 2021”, tha Syla.
Koordinatori i këtij projekti, Arben Pruthi, u shpreh se objekti nëpër të cilat do të bëhet pastrimi i ujit është në ndërtim e sipër.
Ai tha se deri tek pastrimi i ujit kalohet nëpër disa faza.
“Impianti ynë i trajtimit të ujërave të ndotura i ka disa procese. Zakonisht këto impiante shkojnë me faza. E para është ajo e trajtimit fizik të ujërave, kurse në fazën e dytë është trajtimi biologjik i ujërave. Fazë e fundit është ajo e trajtimit apo dezinfektimit të ujit e cila ndodh pasi të bëhen dy fazat e para. Në trajtimin fizik të ujërave është duke u bërë një objekt i cili i ndan mbeturinat e ngurta nga uji, ndahen mbeturinat e forta deri në 5 centimetra, pastaj ndahen mbeturinat më të imëta deri në 5 milimetra dhe në fund uji shkon në një stabiliment që bënë ndarjen edhe të rërës dhe të yndyrave”, tha ai.