Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar mbrëmë një video me pamje nga veriu i vendit.
Një pjesë e pamjeve janë nga vizita e fundit e Kurtit në Mitrovicën e Veriut, ku shihet duke kaluar mbi Urën e Ibrit e duke zhvilluar bisedë me karabinierët, pamje të vendosjes së flamurit të Republikës së Kosovës, futja e Kryetarit të Komunës së Leposaviqit në zyre me asistimin e Policisë, e Kurtit duke vënë gurthemelin e një objekti, raporton Express.
Në video është përdorur si audio një pjesë të fjalimit të Kurtit në vitin 2015 nga Manifestimi i Lëvizjes Vetëvendosje kundër “‘Zajednicës’ dhe marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi”.
“Ndryshimet e mëdha fillojnë me guxim. Qytetarët e Republikës tonë dhe qeveria e tyre kanë treguar guxim dhe përkushtim, kanë treguar se si bashkë arrihet dhe fitohet ajo që synojmë e që është e domosdoshme për të gjithë”, thuhet në postim.
Nga opozita kjo është cilësuar si nisje e fushatës zgjedhore. Deputetja e LDK’së, Doarsa Kica-Xhelili e ka quajtur këtë fushatë “në stilin alla James Bond”.
“Sapo i thash dikujt qe këta do ta fillojnë ‘fushatën’ në stilin alla James Bond, se s’kanë me çka tjetër. Tash, ose këta shumë të parashikueshëm, ose unë shumë parashikuese. ”, ka shkruar ajo.