Protesta si këto mund të ketë përsëri rrugëve të kryeqytetit.
Organizimin e tyre nuk e përjashton deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi.
Krejt kjo në rast, sipas tij, nëse ndodh Asociacioni i Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive, themelimin e të cilit po e kërkon me ngulm emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
“Tash deklarata e fundit që pasojë e Lajçakut që Kosova duhet ta ndryshojë Kushtetutën për t`i kënaqur apetitet e Serbisë është e papranueshme. Në rast se cenohet integriteti i vendit dhe sovraniteti territorial sigurisht se te gjitha mënyrat demokratike do të jenë në funksion. Nuk ka të drejtë askush ta cenojë integritetin territorial të vendit, Kushtetutën”, u shpreh Bulliqi për Front Online.
Se nuk ka vend për kompromise, Bulliqi e thotë edhe kur u pyet për demarkimin e kufirit që Kosovës do t`i duhet ta bëjë me Serbinë.
Ai kërkon që politikanët kosovarë të mos bëjnë lëshime në këtë proces, që siç thotë, nuk do të jetë aspak i lehtë.
“Serbia ka pretendime për krejt territorin e Kosovës. Prandaj pritet që të ketë telashe. Nuk ka nevojë për kompromise tjera të cilat do ta dëmtonin integritetin dhe sovranitetin e vendit tonë. Nuk pres të ketë probleme profesionale. Pjesa e politikës është çështje tjetër. Nuk duhet që Kosova të humbë asnjë pëllëmbë të saj”, u shpreh Bulliqi për Front Online.
Barra e diskutimit të këtyre çështjeve mund t`i bjerë Avdullah Hotit i cili si kryeministër aktualisht po e udhëheq dialogun me Serbinë.
Në Vetëvendosjen opozitare refuzojnë të bëhen pjesë e ekipit të kryqeveritarit në këto diskutime.
Arsyen e kanë të kthjelltë.
“Ne si subjekt jemi deklaruar se nuk bëhemi pjesë e një dialogu i cili është duke i shkuar i tëri në favor të Serbisë. Kjo veç po shihet. Është dialog i papërgatitur mirë”, pohoi deputeti Bulliqi për Front Online.
Kritika drejt Hotit ky subjekt ka edhe lidhur me shkarkimet që ky i fundit i bëri ditë më parë kur vendosi të shkarkojë nga detyra drejtorin e Policisë, Doganës dhe ATK-së.