Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka hapur sot zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Kryetari i kësaj dege Arben Vitia tha se kanë dalë sot në sheshin “Skënderbeu” për të siguruar se fitorja e 14 shkurtit për Lëvizjen Vetëvendosje është e sigurt.
“Sot edhe zyrtarisht fillon fushata zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit. Jemi këtu një pjesë e kandidatëve për deputetë nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Vjosës me numër 127 dhe në kushtet të cilat gjendemi, në kushte te pandemisë, në një situatë të jashtëzakonshme kemi filluar kështu hapjen e fushatës për shkak se nuk mundemi të mbajmë një fushatë me tubime siç kemi bërë më herët. Bashkë me kandidatët jemi këtu për të siguruar që fitorja e 14 shkurtit për Lëvizjen Vetëvendosje është e sigurt dhe deri më 14 shkurt në mënyrë të dinjitetshme dhe secili prej kandidatëve tonë në çdo lagje, në çdo cep të Republikës do të shkojnë të takojnë qytetarët siç i kemi takuar edhe jashtë fushatës në mënyrë që kjo fitore të jetë më substanciale dhe më bindëse”, u shpreh ai.
Ndryshe nga herët tjera, në hapjen e fushatës në Prishtinë kishin dalë vetëm disa nga kandidatët për deputetë të këtij subjekti për shkak të pandemisë COVID-19.