Një person ka vdekur në një vetaksident fatal me motor pasditen e sotme në autostradën “Ibrahim Ruova”.
Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, tha se mjekët kujdestarë e kanë konstatuar vdekjen e këtij personi në vendin e ngjarjes.
“Me datë 13.10.2024 rreth ores 14:40, është pranuar informata se në Autostraden “Ibrahim Rugova” Km-3; drejtimi Prizeren Jug-Vermicë është shkaktuar një Vet-Aksident trafiku me Motor. Njesitë policore për kontroll të autostrades, përfshirë edhe njesinë e hetimeve kanë dal ne vendin e ngjarjes për procedura të nevojshme hetimore. Mjekët kujdestar kanë konstatuar se personi ka qenë pa shenja jete”, tha Hoxha në një përgjigje me shkrim.
Në periudhën janar-shtator të këtij viti, ai tha se 70 persona kanë humbur jetën në aksidente të trafikut rrugor.
“Tridhjetenëntë (39) apo rreth 55%, kanë qenë shoferë, perderisa rreth 24% të aksidenteve fatale kanë qenë vetë-aksidente”, tha Hoxha.
Ai kërkoi që të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e veçanërisht drejtuesit e mjeteve që “të jenë vigjilent gjatë ngasjes, t’i respektojnë shenjat rrugore dhe dispozitat ligjore që burojnë nga ligji mbi trafikun rrugor, në mënyrë që secili të kontribuojë në zvogëlimin e aksidenteve fatale dhe humbjen e panevojshme të jetëve njerëzore si pasojë e pakujdesisë”.
“Policia e Kosovës, njësitet patrulluese të rendit dhe të trafikut, po vazhdojnë aktivitetet e shtuara në teren me qëllim të shtimit të sigurisë në trafik. Vendosja dhe mbajtja e një sigurie në trafik, kërkon angazhime të gjithmbarshme, andaj aktivitetet policore në drejtim të respektimit të rregullave, zbatim të ligjit dhe ndërmarrjen e masave ligjore ndaj shkelësve të ligjit në trafikun rrugor, janë të vazhdueshme”, tha Hoxha./express