Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe Çështje të tjera Rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.
Gjatë këtij takimi, kryetari Veseli dhe përfaqësuesi i BE-së, Lajçak, kanë folur për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Me këtë rast, kryetari Veseli ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës e mbështetë procesin e dialogut dhe është e vetmja që ka propozuar një platformë për këtë çështje. Sipas tij, PDK konsideron që marrëveshja finale me Serbinë është interes strategjik i Kosovës për anëtarësim në BE dhe në OKB.
“Është inkurajues pozicioni i përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak, që në emër të Bashkimit Evropian ka një agjendë të qartë për ta përmbyllur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me një marrëveshje finale. Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdoj që si opozitë të jap kontributin e saj, ku si bazë mbështetje ka vullnetin e qytetarëve dhe Kushtetutën.” ka thënë Veseli.
Veseli ka folur edhe për nevojën e një koordinimi më të drejtpërdrejt me SHBA-të. Partia Demokratike e Kosovës mbështet vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare që është në përputhje me platformën tashmë të njohur të saj, e cila garanton njohjen e ndërsjellë, sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, karakterin unitar të shtetit dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.