Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli me rastin e Ditës Botërore të Mësuesit, ka vizituar shtëpinë shkollë të familjes Aliu-Hertica në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, ku ka thënë se janë përjetë mirënjohës ndaj arsimtarëve që rezistuan duke mbajtur gjallë frymën patriotike e dëshirën për liri të rinisë sonë, ndërkohë që punonin në kushte tejet të vështira.
Veseli ka shkruar se Kosovës i duhet shumë motivimi i asaj kohe për ta rritur cilësinë e arsimit në shërbim të forcimit të shtetit tonë.
“Me rastin e Ditës Botërore të Mësuesit, dhe i nxitur nga bashkëshortja ime, Violeta, e cila më ka folur vazhdimisht për një kohë të trazuar të viteve 90-ta, kur ajo e ndiqte mësimin në shtëpinë shkollë të familjes Aliu-Hertica në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, e vizitova sot këtë monument të arsimit shqip. Bëhet fjalë për një epokë kur shkollat shqiptare ishin shënjestra e parë e represionit të egër serb ndaj popullit tonë. Ne jemi përjetë mirënjohës ndaj arsimtarëve që rezistuan duke mbajtur gjallë frymën patriotike e dëshirën për liri të rinisë sonë, ndërkohë që punonin në kushte tejet të vështira. Po ashtu, falënderime të mëdha i takojnë familjeve bujare si kjo e Mehmet Aliu Herticës, që hapën zemrat dhe dyert e shtëpive. Për pothuaj 8 vjet, kjo shtëpi tre-katëshe e kthyer në shkollë, ka shërbyer si djep i dijes për mbi 1600 nxënës të gjimnazit “Sami Frashëri”. Sikurse kjo familje e nderuar, anembanë Kosovës u ofruan mijëra familje të tjera me vullnet të madh për të mos lejuar mbylljen dhe ndërprerjen e mësimit shqip. Pikërisht sot, Kosovës i duhet shumë motivimi i asaj kohe për ta rritur cilësinë e arsimit në shërbim të forcimit të shtetit tonë”, ka shkruar ai në Facebook.