Opinionisti Dukagjin Gorani duke iu referuar vizitës së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit dhe ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmanit në veri të Mitrovicës, ka thënë ajo pjesë e territorit është e kontestuar.
Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ai ka shtuar se nëse veriu si i tillë nuk do të ketë zgjidhje sipas standardeve evropiane, atëherë palët do të detyrohen të marrin një vendim gjeopolitik.
Sipas tij, o do të ketë krahinë autonome e ekonomike të serbëve në veri, o do të ketë shkëmbim të territoreve.
“E vërteta është që ne deshëm apo s’deshëm veriu i Kosovës është një vend i kontestuar. Kjo vizitë dhe prej kësaj vizite, Osmani dhe Kurti e kanë marrë vesh një realitet që ekziston në veri tash e 20 vjet”.
Ai ka shtuar se veriu i Kosovës është territor i kontestuar që nga marrëveshja e Kumanovës.
“Veriu do të jetë po ashtu pjesa kryesore e procesit të dialogut me Serbinë dhe zgjidhja e veriut nënkupton zgjidhjen e krejt procesit”.
“Veriu si i tillë nëse nuk do të ketë zgjidhje sipas standardeve evropiane; atëherë do t’i shtyjnë palët drejt marrjes së një vendimi gjeopolitik”.