Vëllai i Remzi Hoxhës, Nexhmedini, ka qenë shumë i ashpër sot në Prishtinë, në konferencën për shtyp që ka mbajtur familja e tij në 25 vjetorin e rrëmbimin e zhdukjes së tij.
Duke folur pas të birit, Ardianit, Nexhmedini deklaroi se nuk kemi arritur konsensus me familjen për ta lënë këtë çështje. Unë kurrë nuk ja fal gjakun e vëllait dhe do të ndjek deri në vrimën e miut këdo që e kanë vrarë e masakruar”.
Pas 25 vitesh kërkimi, familja e Remzi Hoxhës ka vendosur të ndërprerje kërkimet për biznesmenin e zhdukur. Djali i tij, Ardian Hoxha tha se në përvjetorin e ardhshëm do t’i bëjnë te atit një varr te hapur dhe një memorial ku do te mund ta vizitojnë dhe të vendosin lule.
“Jemi mbledhur për 25-vjetorin e zhdukjes së babit tonë, Remzi Hoxhës. Jemi mbledhur që si pikë e parë ta përkujtojmë atë në një ditë të dhimbshme dhe t’i ndajmë me ju mendimet qe i kemi si do të vazhdojmë me të ardhmen. Një çerekshekulli që e kemi të zhdukur babën tonë, vëllain, burrin, familjarin, kemi ardhur në një pikë që kemi humbur shpresat, kemi humbur besimin në institucionet e drejtësisë, në klasën politike në Shqipëri, të gjitha partitë politike pa dallim, kemi ardhur në një pikë që duhet t’i premë gjerat sado që është e dhimbshme për ne si familjarë dhe të vazhdojmë tutje”, tha ai.
Ardiani deklaroi se ndër vite janë përpjekur që të na çojnë në kaheje të ndryshme për zhdukjen e Remziut, por sipas tij, e vërteta është një.
“E vërteta është vetëm një, pas 17 vitesh përpjekje, maltretime psikike, sorollatje në zyrat e të gjitha institucioneve, është dashur 17 vite qe Gjykata e Krimeve të Rënda në Shqipëri të vërtetojë që kryesit e këtij krimi ishin nëntë persona të SHIK-ut, nën urdhrat e Sali Berishës”, shtoi ai në një konferencë për media.
Në përvjetorin e radhës tha se do t’i hapin një varr Remzi Hoxhës dhe një memorial. “25 vite pa varr, pa eshtra, pa vuajtje. Duam që babait t’ia bëjmë një varr të hapur, një memorial, ku të mund te shkojnë ta vizitojnë”, tha ai.
Ai tha se tani e tutje do të merren me zbardhjen e veprimtarisë së Remzi Hoxhës, për të cilin tha se do të përgatitet edhe dokumentar.
Biznesmeni Remzi Hoxha më 21 tetor 1995 ishte rrëmbyer në vendin e tij të punës në Shqipëri dhe zhdukja e tij paraqet një nga ngjarjet më misterioze në vitet e demokracisë së shtetit shqiptar.