Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, e ka konfirmuar shkarkimin e Rashit Qalajt nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Ai për Sinjali tha se shkarkimi i Qalajt nga kjo pozitë u bë pas vlerësimit të performancës së një raporti që ministri e ka dërguar në qeveri.
“Në bazë të kompetencës që kryeministri ka, ka marrë vendim, e ka aprovuar raportin tim dhe e ka liruar nga detyra”, tha ai.
Zyra e Kryeministrit njoftoi se në përputhje me Ligjin për Policinë, Hoti ka emëruar Samedin Mehmeti, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës.