Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, nuk i është përgjigjur ftesës së Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes për të raportuar në lidhje me shkarkimin e ish-Drejtorit të Policisë Rashit Qalajt si dhe shuarjen e Task Forcës Speciale Anti-Korrupsion.
Kjo është konfirmuar nga kryetarja e Komisionit, Fatmire Kollçaku.
“Në vazhdën e reagimit nga ana e zyra e Ministrit që për dy data të mundshme këtë javë përsëri kemi marrë përgjigje nga ana e ministrit se nuk mundet në këto data me qenë pjesë e komisioni dhe nuk ka treguar ose prezantuar një datë të mundshme që i njëjti të raportojë në komision”, tha Kollçaku.
Ndërsa, reagoi edhe anëtar i komisionit Rexhep Selimi. “Me sa vërejta se ministri nuk ka caktuar asnjë datë tjetër. E dimë që ka agjendë por jo për të mos caktuar asnjë datë”, u shpreh ai.
Selimit theksoi se Task Forca u shua në moment jo të duhur.“Task Forca është një mekanizëm mund të jetë i përhershëm apo me kohë te shkurtë por Task Forca u shua në momentin kur nuk është dashtë”, tha ai.
Ai gjithashtu përmendi vendimin e shkarkimit të Qalajt ku tha se nuk ka pasur ndonjë shpjegim për shkarkimin.