Vetëm një leje mjedisore është lëshuar për ndërtimin e hidrocentraleve në vend, ndërsa leje ujore janë lëshuar 22 të tilla.
Këto i ka bërë të ditura ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, në Komisionin Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës.
Ai tha se nuk ka numër të saktë se sa hidrocentrale veprojnë në Kosovë, por e di që është vetëm një leje mjedisore.
“Leje mjedisore me sa kam unë informacion është 1, leje ujore janë lëshuar deri sot 22. Leje ujore është lëshuar në Dragash me kapacitet 4 megavat është lëshuar në vitin 2020, në Shtërpcë është lëshuar leja ujore me 2020, gjatë mandatit tim. Leje ujore tjera që kanë të bëjnë. Leje mjedisore ka vetëm Hidro Energy Shpk. Ferizaj, Lepenci 3 duhet me i ra në Ferizaj”, tha ai.
Ministri Kuçi para deputetëve ka treguar gjithë procedurën që duhet të ndiqet për të marrë leje mjedisore për ndërtim të hidrocentralit.
Ai u shpreh se deri më tash nuk ka asnjë analizë të impaktit që hidrocentralet kanë në mjedis.
“Inspektimi është shumë i rëndësishëm. As numrin nuk e kemi të mjaftueshëm, as nuk kemi inspektor që e njeh këtë lami”, tha ai.
I pyetur rreth gjendjes së sasisë së ujit në vend, veçanërisht në ato vende ku janë hidrocentralet, për çka Kuçi tha se nuk kanë ndonjë studim.
“Vizioni ynë lidhur me energjinë e ripërtëritshme nuk është më hidrocentralet. Për shkak të mungesës së resurseve ujore. Të gjitha politikat tona të favorshme janë drejtuar me solare dhe me erë. Normalisht çështja a mund të marrim vendim për ti ndaluar unë nuk kam, vërtet duhet por me ligj si do të shkohet ka procedura”, tha ai.