Ka ndërruar jetë sot një grua 29-vjeçare nga koronavirusi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
E ndjera ka qenë shtatzënë në javën e 27-të, dhe ndonëse ka qenë nën monitorimin e konziliumit mjekësor, nuk është arritur të shpëtohet as foshnja.
Gruaja ishte pranuar fillimisht në Klinikën e Gjinekologjisë javën e kaluar, por në të njëjtën ditë ishte transferuar në Klinikën Infektive e tre ditë më vonë në Mjekimin Intensiv Qendror ku ishte intubuar për shkak të gjendjes së rëndë.
Lajmin për Gazetën Shneta e ka konfirmuar QKUK. “Mund t’ju konfirmojmë informacionin se një grua shtatzënë (1991) ka ndërruar jetë në Mjekimin Intensiv Qendror rreth orës 3:00 të mëngjesit të sotëm”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.
Fatkeqësisht kjo është shtatzëna e dytë që ka humbur betejën me Covidin në Kosovë që nga muaji mars kur është shfaqur pandemia. Deri më tani edhe dhjetëra gra të tjera shtatzëna janë infektuar me Covid dhe të njëjtat kanë kryer edhe lindje në Gjinekologji.
Instituti Kombëtar ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë konfirmuar 775 raste pozitive dhe 15 viktima me Sars-Cov-2 pozitiv. Numri total i rasteve pozitive është 37.028 raste nga 137.872 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 963 raste të vdekjes.