Fëmijët me nevoja të veçanta, prindërit e tyre dhe mësimdhënësit po përballën me mungesën e asistentëve në shkolla. Udhëheqësja e Divizionit për Arsimin e Fëmijëve me Nevoja të Veçanta në Ministrinë e Arsimit, Lulavere Behluli, tha për Radio Kosovën se disa komuna ende nuk kanë shpallur konkurs për pranimin e asistentëve.
“ Deri me tani nga njëqind asistentë që ka përgatitur Ministria e Arsimit, vetëm shtatëdhjetë e katër prej tyre kanë filluar të punojnë me fëmijët me nevoja të veçanta. Ministria ka bërë kërkesë që edhe pesëdhjetë asistentë të tjerë të angazhohen vitin tjetër por se angazhimi i tyre varet nga buxheti i cili pritet të miratohet në Kuvendin e Kosovës.”
E drejtoresha e Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës, Elmie Zymberi, komunë e cila ende nuk e ka shpallë konkursin për pranimin e asistentëve, i tha Radio Kosovës se zyra e financave në këtë komunë ka deklaruar se Ministria e Arsimit nuk ka ndarë buxhet për angazhimin e asistentëve.
“Pas shpalljes së konkursit jemi detyruar të anulojmë atë, për arsye se nuk kemi vend në listë të pagave. Zyra e financave në komunë neve po na thotë që nuk na figuron as si numër dhe as si buxhet. Kështu financat po theksojnë që nuk figuron askund që kanë ndarë fond të veçantë qysh po na thotë Ministria e Arsimit.”
Nga njëqind asistentë që janë trajnuar nga Ministria e Arsimit, vetëm 74 prej tyre janë angazhuar. Komunat të cilat deri me tani nuk kanë shpallur konkurs për pranimin e asistenteve të rregullt që do të punojnë me fëmijët me nevoja të veçanta janë: Prishtina, Gjilani, Lipjani dhe Fushë Kosova.
Shkollat publike në vend vazhdojnë të përballën me mungesën e shërbimeve për nxënësit me nevoja të veçanta. Prindërit e këtyre janë të detyruar që të paguajnë vetë asistentët që punojnë aktualisht nëpër disa shkolla, me përjashtim në disa raste kur ndihmohen nga organizata të ndryshme./FrontOnline/