Gjatë javëve të fundit në Kosovë ka pasur rritje të rasteve me koronavirus. Që nga 13 marsi i vitit 2020 kur u konfirmua rasti i parë me COVID-19 e deri më sot, numri total i personave të infektuar është 74 mijë e 79.
Ndërsa, numri i personave të shëruar është 62 mijë e 650, kurse 1618 persona kanë humbur jetën si pasoje e virusit, dhe 9811 raste mbeten aktive ende.
Sipas disa të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, komuna e cila ka numrin më të lartë të të infektuarve dhe rasteve aktive mbetet komuna e Prishtinës.
Aktualisht në kryeqytet janë 3,613 raste aktive, ndërkaq numri i të infektuarve deri më sot është 29,072. Pas Prishtinës, me më së shumti raste aktive renditet, komuna e Prizrenit me 610, Pejës me 568 dhe Gjilanit me 519, ndërsa komunat tjera më me pak raste aktive.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj dje ka deklaruar se gjatë këtij muaji do të arrijnë 33 mijë e 600 doza të vaksinave të COVAX-it.
Kurse, drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik të Kosovës, Valbon Krasniqi ka thënë se Kosova ditëve të fundit ka hyrë në një fazë të re të shpërthimit të pandemisë COVID 19 dhe tash është një fluks i madh i të infektuarve.