Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmë në Rashçe-Saraj të Maqedonisë së Veriut.
Në rrethana ende të paqarta një automjet me pesë persona ka rënë në lumin e Vardarit. Deri më tani tre janë konfirmuar të vdekur – të gjitha viktimat janë gra.
Siç raporton sot televizioni maqedonas “Sitel”, automjeti që ra në lumë ishte duke u drejtua nga një grua, e cila ka vdekur.
Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup dje ka këqyrur vendin në Rashçe ku një veturë me pasagjerë ka dalë nga rruga dhe ka rënë në ujërat e Vardarit.
Pavarësisht kushteve jashtëzakonisht të vështira në terrene të paarritshme, janë ndërmarrë të gjitha veprimet për sigurimin e gjurmëve dhe provave me qëllim përcaktimin e shkaqeve të aksidentit, raporton ky medium.
Së bashku me veturën nga ujërat e Vardarit janë nxjerrë edhe tri gra të vdekura, për të cilat është lëshuar urdhër për autopsi. Një person tjetër është në kërkim, ndërsa në makinë udhëtonte edhe një fëmijë, i cili është gjetur i lënduar jashtë automjetit dhe është dërguar në Qendrën Klinike.
Sipas informacioneve fillestare, automjeti drejtohej nga njëra prej të ndjerave.
Gjithashtu do të lëshohet urdhër për ekspertizën e makinës.
Sipas udhëzimeve të prokurorit publik janë intervistuar dëshmitarët okularë të ngjarjes, si dhe familjarët e familjes në automjet për zbardhjen e të gjitha rrethanave.
Viktimat që u aksidentuan tragjikisht janë nga familja Asllani, nga fshati Gërçec i komunës së Sarajit në Maqedoni të Veriut./Express/