Skuadra e Llapit vazhdon ta shijojë trofeun e Kupës së Kosovës të cilën javë më parë e fitojë pas një finale me plotë emocione përballë Dukagjinit.
Ky ishte trofeu i parë në histori të skuadrës kështu që edhe festa me të drejtë pritej të jetë e madhe, dhe tash për tash duke e pafund.
Sot ka qenë radha e Komunës që ka organizuar një festë në shenjë falënderimi për klubin, lojtarët dhe stafin për këtë sukses.
Njoftimi i KF Llapit:
Komuna e Podujevës organizoi manifestim falenderues për KF Llapin me rastin e fitimit të Kupës së Kosovës për edicionin 2020/21
Në ambientet e Restaurantit luksoz “Iliria De Luxe”, nën organizimin e Komunës së Podujevës, kryetarit Shpejtim Bulliqi, DKRS-së, drejtoreshës për Kulturë, Rini dhe Sport, Elhame Kutllovci, për arritjet dhe stolisjen me trofeun e Kupës së Kosovës, u organizua manifestim falenderues për kryesinë e klubit, stafin teknik dhe administrativ, futbollistët e K.F. Llapi dhe anëtarët e kryesisë së tifozerisë “Legjendat”
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi falenderoi për të gjitha emocionet dhe arritjet e këtij suksesi historik, duke filluar nga kryesia e klubit, shtabi teknik si dhe meritorët – futbollistët. Kryetari Bulliqi theksoi edhe një herë se mbështetjen e Komunës do ta kenë gjithmonë dhe arritjet e tilla vlerësohen lartë nga i gjithë qyteti.
Më pas nënkryetari i FFK-së, z. Agim Dibrani përshëndeti të gjithë të pranishmit duke uruar kryesinë, stafin e futbollistët për stolisjen me trofeun e Kupës së Kosovës, duke iu dëshiruar suksese në arenën ndërkombëtare.
Kryetrajneri i K.F. Llapi, z. Tahir Batatina duke përshëndetur të pranishmit përgëzoi komunën e Podujevës, kryetarin dhe drejtoreshën për organizimin dhe kontributin e tyre dhënë klubit të qytetit, K.F. Llapi. Njëherit theksoi se klubi meriton edhe më tepër përkrahje të institucioneve komunale e atyre shtetërore, pasi pas 89 viteve klub, arritja e këtij suksesi është historik dhe mbështetja skuadrës i duhet edhe në garat ndërkombëtare.
Më pas për një fjalim rasti u ftua kapiteni i skuadrës, Mentor Zhdrella i cili falenderoi kryetarin Bulliqi për organizimin, njëherit theksoi se pa mbështetjen e familjes Batatina dhe akterëve tjerë, ndër ta edhe Komuna e Podujevës, suksesi do ishte më vështirë i arritur. Njëherit premtoi angazhim dhe punë të madhe edhe në vazhdim, pra sidomos në arenën ndërkombëtare.
Për fund, kryetarin z. Shpejtim Bulliqi dhe drejtoreshën znj. Elhame Kutllovci, kryetrajneri i K.F. Llapi, z. Tahir Batatina i shpërbleu me nga një fanellë, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin e dhënë për K.F. Llapin.
Falenderim i posaçëm për fabrikën e ëmbëlsirave, Fabrika e Embëlsirave “Koha”, pronarin z. Fatmir Latifi për mbështetjen dhe krijimin e ëmbëlsirës me fotografitë e kryesisë, stafit dhe futbollistëve.
Prerja e ëmbëlsirës u bë nga ekzekutivi i Komunës së Podujevës, kryetrajneri Batatina, nënkryetari Agim Dibrani dhe kapitenët e skuadrës, Mentor Zhdrella, Bujar Idrizi dhe Benjamin Emini, si dhe shënuesi i golit më të ëmbël në karrierë, Elvis Prençi.
Zyra për informim dhe marrëdhënie me publikun e K.F. Llapi.