Edhe sot po vazhdojnë reduktimet me ujë të pijshëm në Prishtinë. Ndërkohë, përkundër investimeve që kapin shifrën miliona euro, Kompania e Ujësjellësit Prishtinë, duket se nuk ka kapacitete për pastrimin e ujit.
Kjo kompani arsyetohet se mungesa e ujit po ndodhë për shkak të turbullirave që kanë ndodhur nga reshjet e fundit.
Qytetarët në lagjen e spitalit, që një pjesë e madhe furnizohet nga Badovci, kanë sot pa ujë që nga ora 08:00 e deri tash.
Ndërsa kryeshefi i KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa, ditë më parë ka thënë për KosovaPress, se janë duke punuar me 40 për qind të kapacitetit, për shkak të turbullirave në liqenet akumuluese.
“Problemi zgjidhet varësisht si largohen turbullirat. Janë në fabrika duke punuar laboratorët për pastrim të ujit. Por turbullira është shumë e madhe. Liqeni i Batllavës është në gjendje shumë të turbullt. Nuk kemi pasur raste më herët që kaq shpejt me u mbush liqenet dhe reshjet e mëdha kanë krijuar shumë turbullira”, tha ai për KosovaPress.
Megjithatë, ai bëri të ditur se qytetarët do të vazhdojnë të përballen me reduktime aq sa do të ketë turbullira në liqenet akumuluese.
Duke ditur faktin se në këto dy stinë mund të kenë probleme, kompania në fjalë nuk arrin që të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme.