Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi, ka folur për ftesën që e ka marrë nga PDK-ja dhe VV-ja për t’iu bashkangjitur listës së tyre zgjedhore, ndërsa thotë se vendimin për të hyrë në VV e ka marrë vetë ajo.
Krasniqi thotë se nuk është antarësuar në Lëvizjen e Vetëvendosjes. Ajo thotë se në fillim ka hezituar për t’i hyrë politikës.
“Albin Kurti më ka kontaktuar vetë me telefon. I thash po marrë pak kohë po mendoj. Kam biseduar me familjen si në Kosovë si në Amerikë. Pak kam hezituar, por në fund vendosa thash po hy me juve në listë. Unë kur te marrë një vendim, kam qef me marrë vet”, tha Krasniqi në Rubikon.
Ajo thotë se PDK-ja ia ka ofëruar numrin 3 në listën e saj, por se në fund vendosi të hyjë në listën e VV’së.
“I kam thënë PDK-së faleminderit për ofertën, unë po shkoj me VV-në. Për numrin e kam ditur në fillim se cilin do ta marrë, PDK-ja më tha numrin 3, VV-ja 4,… Zemra ma nijti me shku me VV-në”, thotë Krasniqi.
Kujtojmë se Krasniqi kishte numrin 4 në listën e VV-së, përderisa mori rreth 60 mijë vota, duke e bërë atë gruan e tretë më të votuar.