Kandidatja për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi ka premtuar qytetarët se do të punojë pa u ndalur për misionin e ri që e pret.
Krasniqi e cila pritet të jetë deputete e Kuvendit të Kosovës thotë se do të jetë zëri i të mbijetuarve të luftës.
“Në këto ditë, kam marrë me mijëra e mijra mesazhe, urime, përshëndetje, nxitje, mbështetje, për të qenë vetvetja në misionin që më pret, zëri i fuqishëm institucional i të mbijetuarve. Ju falenderoj të gjithëve, një për një. U premtoj se do të jem ai zë që doni ta dëgjoni, do të punoj e luftoj për drejtësinë që na përket e që duhet ta arrijmë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Postimi i plotë i Vasfije Krasniqit pa ndërhyrje:
Të dashur bashkëqytetarët e mi!
Dita e zgjedhjeve, 14 shkurti i këtij viti, demonstroi qartë e bindshëm, se sa është rrënjosur ndër ne, kultura demokratike e shprehja më e lartë e saj: e drejta për të zgjedhur e për tu zgjedhur, liria për të votuar e për tu votuar.
Asnjë parregullsi evidente, asnjë ngjarje që të dëshmonte të kundërtën, përkundrazi. Fakti që më pas i gjithë shtypi e kanceleritë perendimore vlerësuan maksimalisht procesin elektoral, më mbush jo vetëm me një ndjenjë krenarie për popullin tim, por edhe më krijon bindjen se me një ecuri të tillë, me një pjekuri të tillë politike, drejt së ardhmes mund e duhet të shihet vetëm me optimizëm.
Të dashurit e mi!
Për mua ka qenë privilegj të garoj si kandidate e Lëvizjes Vetvendosje. Nr.4 që mbajta në këtë listë flet për prioritetin me të cilin ky grupim politik, i konsideron temat e përpjekjes së armatosur për liri, që ndërmorrëm 20 vite të shkuara. Të kesh në qendër të vëmendjes ata njerëz që më së shumti i goditi lufta e viteve ’98-’99, do të thotë përpjekje e qëllim për ta parë në sy të kaluarën, për të mbyllur me drejtësi e përmes drejtësisë pasojat e saj, do të thotë të mendosh ndërtimin e së ardhmes, pa pesha të mbartura e të mbetura nga e kaluara. Unë do të punoj për këtë, pa u lodhur, pa u ndalur, me zemër, me shpirt, me mendje.
Të dashur bashkëqytetarë!
Në këto ditë, kam marrë me mijra e mijra mesazhe, urime, përshëndetje, nxitje, mbështetje, për të qenë vetvetja në misionin që më pret, zëri i fuqishëm institucional i të mbijetuarve. Ju falenderoj të gjithëve, një për një. U premtoj se do të jem ai zë që doni ta dëgjoni, do të punoj e luftoj për drejtësinë që na përket e që duhet ta arrijmë. Unë jam thellësisht e bindur që do të korrim rezultatet e shpresuara dhe këtë bindje ma jep prania juaj, mbështetja juaj, përkrahja juaj, dashuria që më shfaqni.
Ju përqafoj të gjithëve
Juaja, Buqe.