Valbon Krasniqi është përzgjedhur drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
Krasniqi është zyrtarizuar sot në këtë pozitë nga Komisioni vlerësues i kryesuar nga kryetari i Bordit Drejtues të këtij institucioni, Dr. Xhevat Jakupi.
“Komisioni vlerësues për përzgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), bazuar në Ligjin 06/L-114 për Zyrtarët Publikë dhe legjislacionin tjetër në fuqi, ka shpallur rezultatet e konkursit për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së. Procesi ka qenë transparentë dhe në të kanë marrë pjesë përfaqësuesi nga shoqëria civile, Shoqata për të drejtat e pacientëve, përfaqësuesi i Federatës Sindikale të Shëndetësisë”, thuhet në njoftim.
Krasniqi është zgjedhur në këtë detyrë me 91.2 pikë nga testi dhe intervista. Kandidati tjetër Dr. Basri Lenjani është renditur i dyti me 75.6 pikë.
Në këtë garë kanë qenë edhe Gani Halilaj i cili nuk ka marr pjesë në test dhe intervistë, ndërsa nga konkursi janë tërhequr kandidatët Saudin Maliqi dhe Driton Ukmata./Front Online/