Drejtori i porsaemëruar i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi është zotuar se do të angazhohet maksimalisht për të avancuar shërbimet shëndetësore dhe menaxhimin e pandemisë Covid-19.
Përmes një statusi në Facebook, Krasniqi ka thënë se me përkushtim maksimal, transparencë, llogaridhënie e punë ekipore do të jenë një shembull i mirë i menaxhimit të pandemisë.
Ai ka falënderuar të gjithë kolegët që e mbështeten në këtë rrugëtim.
Ky është statusi i tij i plotë:
Të nderuar qytetarë
Pas 7 muajsh ushtrimit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të ShSKUK, sot Bordi Drejtues më konfirmoi besimin për të drejtuar institucionin më të lartë shëndetësor në vend.
Koha e pandemisë në të cilën po jetojmë më rritë ndjenjë e përgjegjësisë por edhe motivimin për të vazhduar pa u lodhur me punët e mira.
Një vit më parë kur u konfirmuan rastet e para me COVID-19 besuam fuqishëm se ne bashkërisht do t’ia dalim. Edhe tani, kur po qarkullojnë variante të reja të këtij virusi, e kemi po të njëjtin besim. Me përkushtim maksimal, transparencë, llogaridhënie e punë ekipore do te jemi një shembull i mirë i menaxhimit të pandemisë. Por jo vetëm kaq: spitalet tona do të jenë përherë në shërbim të qytetarëve në nevojë. Do të avancojmë cilësinë e shërbimeve dhe rritjen e besimit të qytetarëve në spitalet tona.
I vetëdijshëm për përgjegjësinë dhe sfidën aspak të lehtë në këtë situatë, ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen dhe besimin e dhënë.
Na priftë e mbara